Nga Auron Tare

Filozofi i famshëm sufi, Idriz Shah, në përmbledhjen e korpusit të tij me tregime të marra nga rrëfenjat e Mulla Nastradinit, ka edhe një rrëfenjë shumë të shkurtër, por mjaft kuptimplotë. E titulluar “Pasqyra”.

Idriz Shah shkruan se kur Nastradini i njohur po ecte dikur i vetëm në një rrugë të shkretë, përpara këmbëve vuri re një send që shkëlqente anës rrugës.

Nasrudini u përkul dhe e mori.

Ishte një send i çuditshëm, i lëmuar dhe i ndritshëm. Mullai i famshëm nuk kishte parë kurrë më parë një pasqyrë. Pasi e mbajti në dorë, e ngriti përpara dhe menjëherë iu shfaq një fytyrë që e shikonte.

Nasrudini u step. E afroi sendin më pranë. Fytyra iu afrua. E largoi. Edhe fytyra u largua.

Nastradini e vështroi gjatë.

Ajo që ndodhej përballë tij nuk i pëlqeu aspak. Një fytyrë e çuditshme i dukej e shemtuar dhe madje, sa më gjatë e shikonte, aq më pak i pëlqente.

Më në fund, Nastradini e kuptoi, sipas mënyrës së tij, të gjithë misterin.

Ah! – tha ai. Tani e mora vesh përse dikush e ka hedhur këtë gjë tutje, anës rrugës, si të pavlerë.

Duhet të ketë qenë diçka vërtet e pakëndshme të shikoje këtë send që nuk thotë të vërtetën dhe, i lumtur që e kishte flakur tutje, vazhdoi rrugën e tij.

Nasrudini, siç dihet, ishte një njeri i mençur.

Ose, të paktën, aq i mençur sa të kuptonte se kishte disa gjëra që nuk ia vlen t’i mbash në shtëpi. Sidomos kur ato të tregojnë fytyrën tënde të vërtetë.

E gjitha kjo histori e Idriz Shahut m’u kujtua teksa përshkoja rrugën gjarpëruese anës Vjosës këtë fillim shtatori dhe dëgjoja spikeren e radios zyrtare që fliste plot pasion mbi një platformë të re me emrin “Pasqyra”.

Spikerja fliste mbi një pasqyrë moderne. Një pasqyrë dixhitale. Një pasqyrë e pajisur, natyrisht, edhe me platformë. Sepse në Shqipëri, edhe pasqyrat, përpara se të tregojnë fytyrën, duhet të kenë platformë.

Por kjo Pasqyrë “Made in Albania”, në kundërshti me atë të Nastradinit të famshëm, do të shohë, do të dëgjojë, do të kontrollojë, do të ndihmojë. Madje, do të zgjidhë edhe halle.

Sigurisht, është një pasqyrë magjike.

Me pak fjalë, do të bëjë të gjitha ato që nuk kanë mundur t’i bëjnë për tridhjetë e kusur vjet institucionet, ligjet, administrata, inspektoratet, ministritë, satelitët dhe gjithë ai numër i nderuar zyrtarësh që jeton prej kohësh nën kujdesin e Shtetit.

Dhe kjo, duhet pranuar, është një arritje. Sepse deri më sot kishim vetëm Shtetin, tani do të kemi edhe pasqyrën.

Mirëpo, me futjen e “Pasqyrës” në hallet tona, na lind një problem i vogël.

Çfarë do të ndodhë nëse Pasqyra fillon të tregojë gjëra që nuk na pëlqejnë?

Sepse pasqyrat, ndryshe nga spikeret, nuk kanë zakon të lexojnë tekstin që u jepet.

Nëse vendos një Pasqyrë përpara një pallati të paligjshëm që ngrihet buzë detit, të cilin as satelitët tanë të famshëm nuk e kanë parë dot, ajo e shkretë pasqyrë nuk sheh një “investim strategjik”.

Ajo shikon një pallat pa leje që sfidon Shtetin.

Nëse Pasqyrën tonë e vendos përballë një pylli të djegur, ajo e shkretë nuk sheh “zhvillim”, por sheh premtime boshe që nuk mundën të sigurojnë dot një kovë me ujë, jo më një avion.

Nëse e çon përpara një rruge të “përfunduar”, ajo nuk sheh “infrastrukturë në transformim”, por sheh tendera tmerrësisht të shtrenjtë.

E nëse dikush do të donte ta vendoste “Pasqyrën” përballë Shtetit? Apo, larg qoftë, përballë Parlamentit?

Atëherë kjo punë mund të bëhet vërtet interesante dhe kushedi se çfarë mynxyre do të shikonte Pasqyra jonë Magjike.

Por mendoj unë, modestisht, problemi i madh i shqiptarëve, në të vërtetë, nuk ka qenë kurrë mungesa e pasqyrave.

Problemi nuk ka qenë se nuk kemi pasur sy në ballë për të parë ç’bëhet në këtë vendin tonë të vogël.

Përkundrazi. Kemi parë shumë.

Kemi parë pallate që rriten aty ku ligji thoshte se nuk mund të ndërtohej asgjë.

Kemi parë pyje që digjen, lumenj që thahen, bregdet që betonizohet dhe prona publike që bëhen papritur private.

Kemi parë tendera. Kemi parë koncesione.Kemi parë premtime.

Kemi parë edhe satelitë që, çuditërisht, shohin gjithçka… përveç asaj që do të donim të shihnin.

Por halli  ka qenë se, sa herë kemi parë diçka që nuk na ka pëlqyer, kemi vepruar si Nastradini me Pasqyrën.

“Nuk kemi dashur  të shohim një fytyrë të shëmtuar të realitetit!”

E pastaj kemi flakur pasqyrën dhe kemi vazhduar rrugën tonë.

Top Channel