
Një ngjarje e shëmtuar ka ndodhur në ndeshjen e basketbollit mes Besëlidhjes dhe Vllaznisë.
Gjatë pushimit të sfidës së zhvilluar në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, sekreatri i Përgjithshëm i FSHB-së, Franko Bushati, u sulmua fizikisht dhe verbalisht nga drejtues të klubit lezhjan.
Një akt të tillë, Federata e ka dënuar, duke shkruar në një njoftim se do të merren masa dhe se ngjarja është raportuar në organet e FIBA-s.
“Deklaratë për mediat e Federatës Shqiptare të Basketbollit
11 prill 2025
Federata Shqiptare e Basketbollit, përmes kësaj deklarate, dënon me forcë aktet e dhunës të ndodhura mbrëmjen e djeshme në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, Tiranë.
Federata dëshiron të njohë më tej publikun me rastin e paprecedentë të dhunës fizike dhe verbale, pësues i së cilës, dje, ishte sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Basketbollit, z. Franko Bushati.
Z. Bushati, gjatë pushimit të ndeshjes së parë gjysmëfinale, e vlefshme për fazën e play-off-it të kampionatit të meshkujve, mes Besëlidhjes dhe Vllaznisë, u sulmua fizikisht dhe verbalisht nga drejtues dhe financues të klubit Besëlidhja.
Ky rast përbën një akt të dënueshëm ligjërisht të dhunës dhe për këtë, z. Bushati ka vënë menjëherë në lëvizje autoritetet përgjegjëse përmes një kallëzimi penal.
Rasti, përveç të tjerash, për Federatën Shqiptare të Basketbollit, përbën një shkelje të normave njerëzore, morale dhe, mbi të gjitha, sportive.
Akti cenon vetë thelbin e asaj që do të duhet të përcjellë si mesazh në publik komuniteti i basketbollit dhe mbarë komuniteti sportiv.
Federata Shqiptare e Basketbollit e dënon ashpër shfaqjen e shëmtuar, e cila dje, mbivendosi anti-vlerat mbi vlerat sportive.
Ngjarja e djeshme mbivendosi dhunën mbi sportivitetin dhe kjo, në botën e sportit, përgjegjëse për krijimin dhe përçimin e modeleve shoqërore ndër breza, për sa i takon basketbollit shqiptar, do të jetë e ndaluar dhe e dënueshme kurdoherë.
Kultura e dhunës është problem i përbashkët dhe për ta luftuar dhe mposhtur atë do të duhet të bashkërendojmë përpjekjet.
FSHB-ja mbetet e angazhuar ne përcjelljen tek çdo klub të edukatës qytetare, që ndeshjet sportive janë gara për edukimin e sportistëve dhe kënaqësinë e tifozëve. Ajo kërkon nga klubi Besëlidhja të analizojë rastin dhe të marrë masat e duhura ndaj autorëve të kësaj ngjarjeje të shëmtuar.
Federata mbetet në pritje, që autoritetet përgjegjëse të vendosin përpara përgjegjësisë ligjore individuale autorët e dhunës dhe shprehet institucionalisht e gatshme të bashkëpunojë.
Federata do ta bëjë të njohur rastin në organet e larta të lidershipit të basketbollit botëror si FIBA Ëorld. Kjo ngjarje e paprecedentë, që drejtuesit e klubit të sulmojnë sekretarin e Përgjithshëm nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e basketbollit.
Ndërkaq, njoftojmë publikun dhe komunitetin sportiv se rasti i dhunës është marrë në shqyrtim nga Komisioni i Disiplinës dhe shpejt vendimet do të bëhen publike.
Me keqardhje dhe indinjatë për sa ndodhi, mbetemi të angazhuar të mbajmë sa më larg botës së sportit raste të tilla të papranueshme,
Federata Shqiptare e Basketbollit”.
Top Channel