
Grupi militant palestinez, Hamas është pajtuar me propozimin për armëpushim në Gaza, të cilin e ka marrë dy ditë më herët nga ndërmjetësuesit në Egjipt dhe Katar, ka njoftuar lideri i grupit militant, Khalil al-Hayya (Khalil Kaja) të shtunën.
“Dy ditë më herët, kemi pranuar një propozim nga ndërmjetësuesit në Egjipt dhe Katar. Ne e morëm me pozitivitet dhe e pranuam atë”, ka deklaruar Khalil al-Hayya përmes një fjalimi në televizion. “Shpresojmë që okupatori nuk do ta minojë atë”, shtoi Hayya, i cili udhëheq grupin negociator të Hamasit në bisedimet indirekte me Izraelin me qëllim për të siguruar një armëpushim në luftën në Gaza që filloi në tetor të 2023-tës.
Burimet e sigurisë kanë thënë për “Reuters” të enjten se Egjipti ka marrë sinjale pozitive nga Izraeli mbi një propozim të ri për armëpushim që do të përfshinte një fazë tranzicioni.
Propozimi sugjeron që Hamasi të lirojë çdo javë nga pesë pengje izraelite, sipas burimeve të sigurisë.
Zyra e kryeministrit në Izrael, ka njoftuar se ka mbajtur një seri konsultimesh sipas propozimit që kanë marrë nga ndërmjetësuesit, dhe se Izraeli iu ka ofruar ndërmjetësuesve një kundërpropozim në koordinim të plotë me SHBA-në.
Ky propozim erdhi pas largimit të Izraelit nga armëpushimi i parë, pasi sipas këtij shteti Hamasi po bënte manipulime psikologjike dhe nuk kishte vullnet për paqe.
Izraeli ka rifilluar operacionet në Gaza, duke kryer sulme ajrore dhe operacione të kufizuara tokësore ushtarake.
Top Channel