
Ish-presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro do të dalë në gjyq, pasi akuzohet për orkestrimin e një komploti të dhunshëm për marrjen e pushtetit përmes një grushti shteti.
Vendimi e lë populistin e ekstremit të djathtë, i cili qeverisi Brazilin nga viti 2019 deri në fund të vitit 2022, të përballet me harresë politike dhe një dënim të mundshëm me më shumë se 40 vjet burg.
Gjykata e Lartë braziliane vendosi që shtatë aleatë të tjerë të ngushtë të ish-presidentit duhet të dalin në gjyq për krime, duke përfshirë përfshirjen në një organizatë të armatosur kriminale, grusht shteti dhe përpjekje të dhunshme për të shfuqizuar demokracinë e vendit.
Ata janë: ish-ministrat e mbrojtjes të Bolsonaros, gjenerali Ëalter Braga Netto dhe gjenerali Paulo Sérgio Nogueira de Oliveira; ish-komandanti i tij i marinës, Adm Almir Garnier Santos; ish ministri i tij i sigurisë, Anderson Torres; ish-shefi i tij i spiunazhit Alexandre Ramagem; ish-ministri i tij për sigurinë institucionale, gjenerali Augusto Heleno; dhe ish-asistenti i tij, nënkoloneli Mauro Cid, i cili, nëse dënohet, do të marrë një dënim më të lehtë pasi arriti një marrëveshje me prokurorët për pranimin e fajësisë.
Ata akuzohen për formimin e një komploti për të mbajtur Bolsonaron në pushtet pasi ai humbi ngushtë zgjedhjet presidenciale të 2022 nga rivali i tij i majtë, Luiz Inácio Lula da Silva.
Akuzat lidhen me një plan të supozuar për të organizuar një grusht shteti pro Bolsonaros në muajt midis zgjedhjeve të tetorit 2022 dhe trazirave të ekstremit të djathtë që shpërthyen në Brasília më 8 janar 2023 – një javë pas inaugurimit të Lulës.
Besohet se ato sulme ishin frymëzuar nga sulmi i 6 janarit 2021 në Kapitolin e SHBA-së, ku shpresohej për rikthimin e Bolsonaros në presidencë.
Bolsonaro e ka quajtur çështjen ndaj tij si ‘lajthitje që nuk ishte parë kurrë më parë’. “Ata po më akuzojnë për një krim që nuk e kam kryer kurrë – një tentativë e supozuar për grusht shteti,” deklaroi Bolsonaro, duke këmbëngulur se ai kurrë nuk kishte dëshiruar ose sugjeruar “një çarje demokratike”.
Avokati i Bolsonaro, Celso Vilardi, mohoi se ish-presidenti ishte përfshirë në kryengritjen e 8 janarit ose kishte udhëhequr një organizatë kriminale që komplotonte për të vrarë Lulën dhe autoritetet e tjera të larta.
Top Channel