
Presidenti i FSHF, Armand Duka, ka folur për emisionin “KUQeZI” në DigitAlb duke komentuar ndeshjen me Andorrën.
Ai u shpreh se ëndrra vazhdon të jetë Botërori, edhe pse Shqipëria ndodhet në një grup të vështirë dhe gjithashtu u ndal te vendimi për të ndalur shitjen e biletave për tifogrupet.
“Kjo është ndeshja e dytë. Për mua me Anglinë ishte një paraqitje e mirë, pavarësisht një rezultati jo të kënaqshëm, por me një kundërshtar si Anglia, objektivi ynë ky ishte, të mbroheshim. Në dy episode pësuam dy gola.
Kjo është ndeshja e parë para spektatorëve tanë në stadium. Uroj që të bëjmë mirë. Ka një lloj emocioni. Nuk e pres shumë lehtshëm.
Kundër Anglisë, vetë kundërshtari, vetë stadiumi i motivon futbollistët. Kurse një kundërshtar si Andorra, duhet të punosh më shumë për t’i ngacmuar dhe për t’i motivuar lojtarët. Unë besoj se e kemi arritur dhe do ta tregojnë në fushë.
Çdo skuadër luan për të fituar dhe për t’u kualifikuar. Ky është një grup vërtet i vështirë me katër kundërshtarë të vështirë, me një super të vështirë si Anglia. Ne do të provojmë të gjitha kartat tona. Ka kaluar vetëm një ndeshje. Duhet të fitojmë sot. Ëndrra jonë është Botërori. Nuk mund të themi që ëndrrat tona janë shuar, sepse humbëm në Wembley. Kjo ishte një gjë e parashikueshme.
Nuk besoj se ka ngelur askush pa marrë bileta në stadium, sepse kanë marrë të gjithë biletat. Tifozët Kuqezi janë tifozët më tradicionalë dhe duan të marrin bileta. Ne kemi menduar të jemi të hapur për të gjithë, pa penguar dhe Tifozët Kuqezi dhe as tifozët e tjerë. Nuk besoj se është problem për ndeshjen e sotme dhe për të ardhmen. Kjo nuk është një eksperiencë shqiptare, por një eksperiencë e shumë federatave europiane”, tha Duka për “KUQeZI”.
Top Channel