
Prej 24 orësh, Anila Ndoka Prendushi, vazhdon betejën për jetën në spitalin rajonal të Shkodrës.
Ajo u qëllua me një plumb nga partneri i saj, duke i shkaktuar një plagë të rënde në kokë, ndërkohë që më pas, autori Kolë Manaj, me të njëjtën armë, vrau edhe veten.
Fillimisht, u tentua dërgimi i 44-vjecares për në Tiranë, por gjendja e saj shëndetësore nuk përballonte transportin, sipas mjekeve. Ndërkohë, grupi hetimor ka marrë në pyetje kolege të gruas së plagosur dhe familjarë.
Ata kanë deklaruar se Anila, nuk ka shfaqur probleme gjatë lidhjes se saj 5-vjecare me Kolë Manajn, ndonëse gjatë 2-3 javëve të fundit, ka qenë e shqetësuar.
Gjatë kësaj periudhe, dyshohet se mes çiftit ka pasur një ftohje të marrëdhënieve për arsye që ende nuk dihen.
Manaj, i rënduar psikologjikisht, ditën e ngjarjes ka shkuar te puna e bashkëjetueses së tij dhe janë futur në makinën e saj, të parkuar përpara qendrës komunitare ku ajo punonte. Me vete ai ka patur edhe një pistolete. Pas debatit ne lidhje me marrëdhënien e tyre dhe mundësisë se një ndarjeje përfundimtare, dyshohet se Manaj nuk ka pranuar ndarjen dhe ka qëlluar fillimisht partneren e tij dhe më pas edhe veten.
Pas të shtënave, është lajmëruar policia dhe autoambulanca ku mjeket kanë arritur ta mbajnë në jetë Anilën, ndërsa Kolë Manaj ka ndërruar jetë në vend.
Top Channel