U munduan të shantazhonin familjen e Schumacher-it për t’iu marrë 15 milionë €, gjykata gjermane dënon 3 personat e përfshirë në skemë

14/02/2025 16:43

Tre persona janë dënuar nga një gjykatë gjermane pasi u përpoqën të shantazhojnë familjen e legjendës së Formula 1, Michael Schumacher.

Yilmaz T, 53 vjeç, u burgos me tre vjet për kërcënimin se do të ngarkonte 900 foto personale, pothuajse 600 video dhe të dhëna konfidenciale mjekësore në “Dark Web”, nëse familja Schumacher nuk paguante 15 milionë euro.

Djali i tij 30-vjeçar u dënua me gjashtë muaj me kusht për ndihmë dhe nxitje për zhvatje. Një ish-roje sigurie në shtëpinë e Schumacher, i cili mohoi çdo përfshirje, mori një dënim me kusht për 2 vite.

Schumacher nuk është parë në publik që nga aksidenti me ski në vitin 2013, që i shkaktoi lëndime të rënda në tru. Familja e ka mbajtur private gjendjen e tij shëndetësore.

Yilmaz dhe djali i tij kishin pranuar shumicën e akuzave. Yilmaz, një roje i një klubi nate në Konstancë në Gjermaninë jugore, i tha gjykatës se ajo që kishte bërë ishte “shumë e neveritshme”.

“Këtë e kuptova në ditën e dytë të burgut, do të marr përgjegjësinë për këtë”, tha ai.

Në rrëfimin e tij ai tha se kishte marrë dy hard disqe nga roja i sigurisë, Markus F, i cili akuzohej se kishte dhënë dosjet me materiale të konfidenciale të familjes për një shumë pesë shifrore.

Një tjetër hard disk besohet se nuk është gjetur ende.

Gjykatësi fajësoi rojën e sigurisë për lejimin e fillimit të tentativës së shantazhit. Avokati i familjes Schumacher tha se ata do të kundërshtonin dënimin e tij me kusht.

Markus F kishte punuar për familjen 18 muaj përpara aksidentit të skive të Schumacher.

Sipas avokatit të të akuzuarit, gruaja e Schumacher, Corinna i kishte kërkuar atij që të digjitalizonte fotot private të familjes. Ata thanë se materiali u zhduk pasi kontrata e tij u ndërpre.

Gjykatës iu tha se babai dhe djali i kishin dërguar me e-mail familjes Schumacher mostrat e dosjeve të vjedhura.

Në gjykatë u shfaqën edhe regjistrimet e telefonatave të bëra me familjen Schumacher.

Në një nga këto biseda, Yilmaz T i tha familjes se në vend që të përpiqej t’i shantazhonte ata, ai po ofronte të vepronte si ndërmjetës në kthimin e dosjeve dhe identifikimin e burimit të tyre në atë që ai e quajti “një marrëveshje e pastër”.

Avokati i Schumachers, Thilo Damm, tha se dënimet ishin shumë të buta për atë që ishte “tradhti e turpshme ” dhe ata planifikonin të apelonin vendimin.

“Ne nuk pajtohemi me atë që tha gjykata. Do të shterojmë të gjitha mundësitë ligjore që kemi në dispozicion”, tha ai.

Ai shprehu gjithashtu shqetësimin se një hard disk mbeti i zhdukur pavarësisht nga kërkimet e shumta në pronat e të pandehurve.

“Ne nuk e dimë se ku është hard disku që mungon. Unë jam parashikues, por ekziston mundësia e një kërcënimi tjetër”, tha avokati.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA