Gjykata e Posaçme dënon me 10 muaj burg “Rrumin”, korruptoi zyrtarin për mosankimin në Apel të tokës në Gjirin e Lalzit

06/02/2025 13:28

Gjykata e Posaçme dënoi me 10 muaj burg Aleksandër Lahon i njohur edhe me emrin Pëllumb Muharremi, për akuzën e korrupsionit.

SPAK kërkoi dënimin me 3 vite heqje lirie, por në fund gjykata e dënoi me 1 vit e 3 muaj burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar iu zbrit një e treta e dënimit.

Sipas hetimeve të prokurorisë ka rezultuar se Aleksandër Laho i ka dhënë zyrtarit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku shumën prej 600 mijë lekë dhe i ka premtuar dhe 300 mijë lekë më shumë, me qëllim që të mos ushtronte ankim për një çështje pronësie.

Sipas Spak, Laho e ka dhënë ryshfetin për mosankimin në Apel të një çështje lidhur me tjetërsimin e 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit, sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha.

Laho mbeti i plagosur në vitin 2019-të, në atentatin që iu bë prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja. Në atë kohë atij iu sekuestrua telefoni nga ku rezultoi një video, ku ai po komunikonte me një zyrtar të avokaturës së shtetit për rastin korruptiv. Kjo është pranuar edhe nga Kërçuku, që është dënuar me 2 vite burg për akuzën e korrupsionit.

“Rrumi” vijon në kërkim ndërsa avokati i tij ka pretenduar se ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore për shkak se pas atentatit në Shqipëri në vitin 2019 nuk mori ndërhyrjen e duhur mjekësore dhe nga plumbat ka mbetur i dëmtuar, duke i gjymtuar edhe në këmbë.

Në atentatin e 1 nëntorit të 5 viteve më pare mbeti i plagosur edhe prokurori Arjan Ndoja ndërsa humbi jetën shoferi Andi Maloku. Spak pas zbardhjes së komunikimeve në Sky Ecc ka arritur të zbulojë edhe grupin që posositi dhe kreu atentatin, mes tyre dhe Plaurent Dervishaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA