Emil Bove, Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm tha se SHBA do ndjekë penalisht të gjithë zyrtarët shtetëror dhe lokal që refuzojnë t’i binden urdhrave të Presidentit Trump për imigracionin.
Një memorandum i ri i Departamentit Amerikan të Drejtësisë përshkruan planet e administratës Trump për të gjithë zyrtarët lokalë dhe shtetërorë që i rezistojnë ligjeve të reja për ndalimin e imigracionit duke kërcënuar se do t’i ndjekë penalisht ata, sipas CNN.
Memorandumi nga Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm në detyrë, Emil Bove thotë gjithashtu se prokurorët federalë që refuzojnë të ndjekin penalisht rastet e imigracionit do të raportohen menjëherë në Departamentin e Drejtësisë për hetim.
“Ligji federal ndalon zyrtarët shtetërorë dhe lokalë që të rezistojnë, pengojnë apo të mos përputhen me komandat dhe kërkesat e ligjshme të lidhura me imigracionin. Zyrat e Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-së dhe komponentët gjyqësorë të Departamentit të Drejtësisë do të hetojnë çdo incident për ndjekje penale të mundshme”, shkruhet në memorandum.
Memorandumi udhëzon seksionin civil të departamentit që të ndihmojë në identifikimin e ligjeve dhe politikave shtetërore apo lokale që “kërcënojnë të pengojnë” iniciativat e Presidentit Trump për imigracionin.
Emil Bove i quan këto ndryshime të përkohshme teksa pret konfirmimin e Prokurores së re të Përgjithshme, Pamela Bondi.
Top Channel