Dy persona janë vënë në opranga pasi u zbulua se organizonin në mënyrë të paligjshme bastet sportive, në ambientet e një lokali.
Për këtë ngjarje dy persona të tjerë janë shpallur nën hetim. Policia ka sekuestruar 3 aparate celulare në të cilët u gjetën faqe të basteve sportive me shuma të konsiderueshme në lekë dhe euro dhe biseda për vendosjen e lotove sportive.
“Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit L. B., 31 vjeç dhe A. M., 23 vjeç, banues në Fier, si edhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit A. M., 41 vjeç dhe M. M., 60 vjeçe.
Si rezultat i kontrolleve të pandërprera të ushtruara nga shërbimet e Policisë, shtetasit e arrestuar u kapën në flagrancë, në lokalin në pronësi të shtetases M. M. dhe djalit të saj A. M., në lagjen “11 Janari”, Fier, duke vënë baste sportive, me celularët e tyre, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Fier, për veprime të mëtejshme.
Top Channel