Të gjithë me sytë nga Izraeli, OK për marrëveshjen/ Tani kalon në kabinetin e sigurisë!

17/01/2025 14:19

Kabineti i Sigurisë në Izrael, i dha dritën jeshile marrëveshjes me Hamasin dhe tani, hallka e fundit për vulosjen përfundimtare të paktit mbetet miratimi i kabinetit qeveritar.

Ishte kryeministri Benjamin Netanyahu ai që e kishte shtyrë më herët mbledhjen e kabinetit pasi e akuzoi grupin militant palestinez se kërkonte ndryshime në tekstin e marrëveshjes finale.

Megjithatë, Netanyahu vetë sqaroi më pas se ishin kapërcyer pengesat e minutës së fundit për finalizimin e armëpushimit që mund të ndalojë luftën 15 mujore.

Tani, nëse pakti miratohet, sipas pohimeve të tij pengjet e para mund të lirohen që këtë të dielë.

Presidenti Isaac Herzog e përshëndeti vendimin e kabinetit të sigurisë për të rekomanduar miratimin e marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimin e të burgosurve, edhe pse theksoi se nuk ushqen iluzione, dhe tha se marrëveshja do të sjellë me vete sfida të mëdha dhe momente të dhimbshme.

Bindjen se marrëveshja marrëveshja për armëpushim në Gazë dhe lirimin e pengjeve, me të cilën të dyja palët duket janë dakord do të nisë të dielën ashtu sic edhe ishte parashikuar, e përcolli edhe sekretari amerian i shtetit, Anthony Blinken.

“Kam besim dhe pres plotësisht që zbatimi do të fillojë, siç thamë, të dielën”, u tha sekretari Blinken gazetarëve në Uashington në konferencën e tij të lamtumirës për shtypin si kryediplomati amerikan.

Ujdia do të lejojë po ashtu që qindra mijëra të zhvendosur palestinezë të kthehen në shtëpitë e tyre në Gazë. Kryeministri izraelit tha se ka udhëzuar një task-forcë speciale që të përgatitet për pranimin e pengjeve që do të kthehen nga Gaza dhe familjarët e tyre janë informuar se pakti është arritur.

Agjencitë e OKB-së thanë se janë gati të dërgojnë ndihma humanitare në rajon. Sipas Kombeve të Bashkuara të paktën 1.9 milionë nga 2.3 milionë banorët e Rripit të Gazës janë zhvendosur dhe 92 për qind e banesave janë shkatërruar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA