UNESCO kërkon mbrojtje urgjente për Ohrin: Në rrezik nga ndërtimet e paligjshme në Maqedoninë e veriut dhe Shqipëri

14/12/2024 13:51

UNESCO paralajmëron se rajoni i Ohrit është në rrezik nga ndërtimet e paligjshme, nga urbanizimi dhe planifikimi i papërshtatshëm.

Nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kërkohen veprime urgjente për ruajtjen e këtij thesari natyror dhe kulturor, në mënyrë që të mos futet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, theksohet në raportin e fundit të saj, ku detyra më e madhe megjithatë i vishet autoriteteve maqedonase.

Agjencia e famshme theksoi nevojën urgjente që Shkupi të ndërmarrë hapa konkretë dhe vendimtarë për të mbrojtur pasuritë unike natyrore dhe kulturore të Ohrit.

Ky është raporti i tretë i UNESCO-s që nënvizon se ndërhyrjet e papërshtatshme, urbanizimi, planifikimi hapësinor joadekuat dhe projektet infrastrukturore po shkaktojnë dëme të pariparueshme në rajonin e Ohrit, i cili mund të humbasë vlerën e tij të jashtëzakonshme universale, në një afat të shkurtër, ose të mesëm kohor.

Përballë kërcënimeve serioze, Ohri mbetet nën vëzhgimin e vazhdueshëm të trupit të Kombeve të Bashkuara, i cili edhe këtë herë paralajmëroi se është e mundur që rajoni i Ohrit të futet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

Ambjentalistë e banorë të zonës në Maqedoninë e Veriut kanë dëshmuar disa kohë më parë për REL sesi në Liqenin e Ohrit depërtojnë ujëra nga gropat septike, fermat si dhe nga dhjetëra restorante, hotele dhe rezidenca private që nuk janë të lidhura me sistemin e mbledhjes së ujërave të zeza.

UNESCO në raportin e ri, ndër të tjera kërkon rishikimin e planeve urbanistike për Ohrin dhe Strugën, ndalimin urgjent të ndërtimeve në Kënetën e Studençishtës, si dhe zgjidhjen e problemit të ndërtimeve pa leje që dëmtojnë karakterin autentik të rajonit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA