Azilkërkuesit e kthyer nga Britania në Francë raportojnë dhunë fizike dhe psikologjike, “The Guardian”: Probleme shëndetësore të përkeqësuara nga mungesa e trajtimit, njëri prej tyre…
Nëntë vende të Bashkimit Evropian, mes tyre Franca, Greqia, Italia dhe Portugalia, po kërkojnë më shumë kohë për zbatimin e plotë të sistemit të ri të hyrje-daljeve EES, veçanërisht për marrjen e gjurmëve të gishtërinjve dhe të dhënave biometrike të qytetarëve nga vende jashtë BE-së.
Sistemi i ri synon të modernizojë kontrollet kufitare në zonën Shengen, por zbatimi i tij është përballur me vështirësi në disa prej aeroporteve dhe pikave kufitare më të ngarkuara të Evropës. Gjermania, Malta, Holanda, Zvicra dhe Belgjika janë gjithashtu ndër vendet që kanë kërkuar kohë shtesë për të përfunduar zbatimin.
EES ishte planifikuar të hynte plotësisht në fuqi më 6 shtator, pas disa shtyrjeve të mëparshme. Sistemi u miratua nga BE-ja në vitin 2017 dhe u lançua zyrtarisht në tetor të vitit të kaluar, ndërsa synohej që të bëhej plotësisht funksional në prill.
Problemet teknike dhe rreziku i krijimit të radhëve të gjata në aeroportet turistike kanë detyruar disa vende të kërkojnë një qasje më graduale. Spanja, e cila pati probleme gjatë fazave të para të zbatimit, tashmë po e aplikon sistemin në mënyrë të plotë.
Sipas burimeve të BE-së, sistemi ka regjistruar rreth 200 milionë hyrje, ndërsa rreth 70 mijë persona janë ndaluar të hyjnë në zonën Shengen. Numri i personave të ndaluar është rritur nga rreth 43,700 në qershor.
EES regjistron të dhënat biometrike të udhëtarëve që nuk janë shtetas të BE-së dhe përdoret për të identifikuar personat që tejkalojnë afatin e lejuar të qëndrimit. Për qytetarët britanikë, për shembull, sistemi lidhet me kufirin prej 90 ditësh brenda një periudhe 180-ditore.
Autoritetet evropiane thonë se sistemi ka ndihmuar gjithashtu në zbulimin e personave që përdorin dokumente të falsifikuara. Kombinimi i gjurmëve të gishtërinjve dhe imazheve të fytyrës mundëson identifikimin e individëve që përpiqen të udhëtojnë me pasaporta të ndryshme.
Megjithatë, zbatimi nuk është uniform në të gjitha pikat kufitare. Marrja e të dhënave biometrike ka nisur në disa pika, përfshirë terminalin e Eurostar në Bruksel dhe portin e Antverpës, ndërsa disa aeroporte të tjera ende nuk e kanë përfunduar procesin.
Qendrat e mëdha ndërkombëtare, si aeroporti i Frankfurtit dhe Schipholi, tashmë po mbledhin të dhëna biometrike, ndërsa disa aeroporte më të vogla kanë hasur vështirësi për shkak të kapaciteteve të kufizuara.
Burimet e BE-së bëjnë të ditur se vetëm 12 nga rreth 1,500 pika kufitare vazhdojnë të kenë probleme të konsiderueshme me zbatimin e sistemit.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me aeroportet e vogla, ku numri i udhëtarëve mund të rritet ndjeshëm gjatë sezonit turistik. Në një rast të përmendur nga BE-ja, rreth 3,000 pasagjerë mund të mbërrinin brenda një ore, ndërsa pika kufitare kishte vetëm katër kabina për regjistrimin biometrik.
Edhe industria e aviacionit ka paralajmëruar për probleme. Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror ka kërkuar më herët pezullimin e plotë të sistemit, duke argumentuar se vonesat kanë bërë që pasagjerët të humbin fluturimet lidhëse në vende si Spanja, Italia, Greqia dhe Belgjika.
Ryanair ka paralajmëruar gjithashtu për radhë të gjata dhe kaos në disa aeroporte, përfshirë Malagën dhe Palmën.
Franca përballet me një situatë të veçantë në portin e Doverit, ku kontrollet kufitare franceze kryhen në territorin britanik përpara udhëtimit drejt Francës. Marrja e të dhënave biometrike në këtë pikë ende nuk është zbatuar.
Top Channel