Zjarri i përmasave të mëdha që përfshiu një fabrikë këpucësh në Laç, mbrëmjen e 29 nëntorit, ka lënë pas dëme të konsiderueshme materiale, por fatmirësisht pa persona të dëmtuar.
E rëndë ka qenë situata që kaluan edhe familjet që banojnë pranë fabrikës.
Për shkak të erës së fortë, vatra të reja zjarri janë aktivizuar edhe gjatë ditës së shtunë.
Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta, ndërsa dyshohet se disa shkëndija nga telat elektrikë që kalonin mbi objekt mund të kenë shkaktuar zjarrin që shkrumboi magazinën qendrore të fabrikës ku ndodhej material i djegshëm, duke nisur nga lënda e parë, deri te prodhimi i përfunduar, gati për eksport. Deklarohet se në magazinë kishte dhe sasi karburanti, si dhe disa makineri.
Nuk ka ende një bilanc përfundimtar të dëmeve, por sipas burimeve nga fabrika “Alba Shoes” në pronësi të Nikolin Lleshit, ato llogariten në disa milion euro.
Katër vite më parë, një tjetër fabrikë këpucësh iu dogj kësaj kompanie në Skrapar. Grupi hetimor po vijon punën për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e këtij zjarri.
Top Channel