Universiteti Europian i Tiranës ka nisur kontributin në rrugëtimin e Shqipërisë në familjen europiane duke vlerësuar gjithëpërfshirjen dhe rolin e mediave e të komunikimit publik në procesin e integrimit në BE.
Iniciativa e promovimit të standarteve europiane për mediat dhe gazetarinë është e Fakultetit të Shkencave Humane Edukimit dhe Arteve Liberale në UET në bashkëpunim me Fakultetin e shkencave juridike e marrëdhënieve ndërkombëtare, ku pedagogë , kërkues shkencorë, studentë por edhe përfaqësues institucionesh, rregullatorë shtetërorë janë përfshirë në një proces ndërveprimi me njëri tjetrin.
“Komunikimi me publikun në kuadër të integrimit europian të Shqipërisë është një nga kërkesat që i vjen drejtuar nga progres-raporti i BE jo vetëm institucioneve qeveritare, por edhe institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri. Ndaj Universiteti Europian i Tiranës, këtë synon të bëjë të shndërroj Universitetin në një qendër të diskutimit për politika dhe të propozimeve konkrete. Kështu, ne marrim një rol proaktiv në komunikimin publik të çështjeve që kanë të bëjnë me integrimin”, tha Belina Budini, dekane Fakulteti i Shkencave Humane, Edukimit e Arteve Liberale, UET.
Forumi i diskutimit me tematikë sfidat e rregullimit normativ dhe institucional të mediave në Shqipëri në kuadër të integrimit në BE, do të pasohet nga një sërë nismash të mëtejshme nga UET në ndihmë të politikave të integrimit përmes arsimit të lartë si një prej aktorëve kryesorë në kërkim dhe zhvillim.
“Procesi i integrimit europian të Shqipërisë është një proces shumë i rëndësishëm, një proces kombëtar, nuk është thjesht në dorë të një një zv ministri, një Ministrie apo të një qeverie, na përket të të tërëve . Pa qenë të mirëinformuar për procesin nuk mund të aktivizohemi”, u shpreh Tedi Dobi, zv ministër i drejtësisë.
Top Channel