Pas humbjes, kampi i Kamala Harris po kërkon fajin, dhe duket se aleatët e saj e kanë identifikuar arsyen tek presidenti në largim.
Pas fitores bindëse të Presidentit të zgjedhur Donald Trump, disa nga mbështetësit e zv/presidentes kanë nisur të shfaqin hapur pakënaqësinë e tyre me faktin që Joe Biden priti deri në verë për t`u tërhequr nga gara, në një kohë kur shqetësime për aftësinë e tij mendore e fizike ishin ngritur prej kohësh, së bashku me ato për inflacionin në rritje apo gjendjen në kufirin SHBA-Meksikë.
Një ish-rival i Bidenit në vitin 2020 për emërimin e partisë demokrate, Andrew Yang, mendon se “përgjegjësia më e madhe për këtë humbje është e Presidentit.
“Nëse ai do të kishte dhënë dorëheqjen në janar dhe jo në korrik, ne mund të ishim në një situatë shumë të ndryshme”, thotë Yang.
Biden e drejtoi SHBA-në në mesin e pandemisë më të rëndë prej një shekulli, nxiti mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën pas agresionit të Rusisë dhe miratoi një paketë prej 1 trilionë dollarësh për infrastrukturën në vend që do të ketë ndikim për vite me radhë.
“Ndoshta pas 20 ose 30 vjetësh, historia do ta kujtojë Bidenin për disa nga këto arritje,” thotë Thom Reilly, bashkëdrejtor i Qendrës për një Demokraci të Pavarur dhe të Qëndrueshme në Universitetin Shtetëror të Arizonës.
“Por në një të ardhme afatshkurtër, do të jetë e vështirë që ai t’i shmanget trashëgimisë së të qenit presidenti që mundi Donald Trumpin vetëm për t’i hapur rrugën një administrate tjetër të Donald Trumpit katër vjet më pas”.
Donald Trump është zotuar ta reformojë rrënjësisht qeverinë federale dhe të tërhiqet nga shumë prej prioriteteve të Biden.
Vetëm rreth 4 ndër 10 votues në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 e miratuan punën e zotit Biden si president, sipas AP VoteCast, një sondazh me më shumë se 120,000 votues në mbarë vendin.
Afërsisht 6 ndër 10 nuk e miratuan atë dhe Donald Trump bëri për vete një shumicë të ndjeshme të atyre votuesve që ishin të pakënaqur me presidentin.
Top Channel