Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka përgëzuar republikanin Donald Trump për fitoren e pretenduar në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, duke thënë se qasja e Trumpit në çështjet globale mund ta sjellë më afër një “paqe të drejtë” në Ukrainë.
Zelensky, në një mesazh të publikuar menjëherë pas shpalljes së fitores nga Trump – që ende nuk është konfirmuar zyrtarisht – e quajti atë fitore “mbresëlënëse” dhe tha se mezi priste të niste një periudhë të re të një “SHBA-je të fortë nën udhëheqjen vendimtare të presidentit Trump”.
Ky mesazh shihet si përpjekje për të ndihmuar në krijimin e lidhjeve të reja me administratën e ardhshme në Uashington, ndërsa Ukraina mbetet e pasigurt mbi ndikimin që mund ta ketë një presidencë e Trumpit për luftën në Ukrainë.
Më herët, Trumpi kishte thënë se do të përfundonte luftën thjesht duke folur me presidentët e Ukrainës dhe Rusisë.
Gjatë debatit, Trump kritikoi shpenzimin e miliarda dollarëve për mbrojtjen e Ukrainës, duke thënë se Kievi “nuk do ta fitojë luftën.”
Ai gjithashtu deklaroi se kushtet e Putinit për bisedime paqeje ishin “të papranueshme” dhe shprehu bindjen se Putini nuk do ta kishte pushtuar Ukrainën nëse ai, Trump, do të ishte në Shtëpinë e Bardhë./ REL
Top Channel