Nga Preç Zogaj
Për një kohë të gjatë, rreth çerek shekulli, lufta kundër korrupsionit në sferat e larta në vendin tonë është zhvilluar në nivelin e gjesteve dhe retorikës, ku partitë kryesore PD, PS dhe LSI kanë akuzuar njëra-tjetrën për lloj lloj skandalesh, shpërdorimesh, vjedhjesh. Përbetimet e krerëve të tyre nga transheja opozitare për çrrënjosjen e korrupsionit qeveritar kanë bërtitur si kolonë zanore e tranzicionit tonë të zgjatur.
Me të ardhur në pushtet, përveç poltronave në qeveri, kanë shkëmbyer edhe kabinën e gurgulesë “antikorrupsion”, kuptimi i nënkuptuar e së cilës ka qenë: “Pasurohemi duke bërë sikur po luftojmë njëri-tjetrin”.
Bilanci i këtij teatri cinik ka qenë rritja eksponenciale e korrupsionit nga rrotacioni në rrotacion dhe nga qeveria në qeveri, krijimimi i një “elite” të paprekshmish në sferat e larta, konsakrimi i pandëshkueshmërisë në këto sfera. Nuk mund të ndodhte ndryshe. Shndërrimi i politikanëve në prokurorë dhe gjyqtarë të njeri-tjetrit është një hile e madhe që minon shtetin e së drejtës. Akuzat që mbahen në nivelin e retorikës politike, duke shmangur zbardhjen e tyre në organet e drejtësisë, prodhojnë vetëm mjergullnajë. Pikërisht atë që duan ujqërit e korrupsionit.
Një shembull tipik i antikorrupsionit retorik janë akuzat e Sali Berishës në opozitë kundër Ilir Metës në pushtet në vitin 2015 për aferën ÇEZ-DIA, aferë e cila shohim të jenë përfshirë në akuzën penale të SPAK kundër këtij të fundit. Natyrisht jo me pikënisje nga Berisha.
Dikush që po lexon këto rreshta, por nuk i ka ndjekur ngjarjet mund të pyesë: Mirë politikanët e bënë zakon t’i nxirrnin të palarat njëri-tjetrin e pastaj të përqafoheshin me një “ashtu ishte loja”, po drejtësia ku ishte gjatë gjithë kësaj kohe? Pse nuk niste ajo hetimet kryesisht duke marrë shkas nga denoncimet e tyre të ndërsjellta?
Shumica e njerëzve e dinë përgjigjen. Drejtësia ishte e ndaluar të çonte ligjin në sferat e larta, ku kasta politike plurale-solidare mbretëronte si në pushtet, si në opozitë. Në kompensim, prokurorët dhe gjyqtarët ishin të inkurajuar të bënin pasuri në sferat poshtë, gjë që shumë prej tyre, siç është provuar nga vetingu, e kanë bërë. Drejtësia ka përmbushur në këtë mënyrë kuptimin shqiptar të kapjes së saj, që ishte mosfunksionimi i saj në majat e piramidës së pushtetit bipartizan.
Kjo histori nuk mund të vazhdonte pafund. Vdekja e ligjit në sferat e larta u parashkrua të arkivohej me votimin unanim të Reformës në Drejtësi nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2016. Më tej, me daljen në skenë të organeve të reja të saj.
Kësisoj, periudha e gjatë e “luftës” kundër korrupsionit me fjalë ka kaluar në epokën e re të hetimit konkret dhe luftës konkrete nga organet ligjore të hetimit dhe gjykimit, që janë SPAK dhe GjKKO.
Ky zhvillim është historik për shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit në Shqipëri. Të mos harrojmë se kriza e drejtësisë sonë ka qenë pikësëpari kriza e akuzës penale. Me shumë pak përjashtime, Prokuroria nuk është lejuar të zhvillojë hetime të aferave me spec ku janë përfshirë zyrtarë shumë të lartë. Edhe aty ku hetimet kanë nisur, siç janë Gerdeci, ÇEZ-DIA, 21 janari, e tjerë, janë penguar të shkojnë deri në fund pa u kondicionuar nga posti dhe emrat e të përshirëve në aferat përkatëse.
Me konsolidimin e SPAK, ky kapitull mbyllet njëherë e përgjithmonë. Nuk ka më të paprekshëm. Nuk ka më mbi ligjin. Nuk ka më “ligji jam unë”.
Askush kundër të cilit do të ketë kallzime serioze apo të dhëna të përfshirjes në afera korruptive nuk do t’i shpëtojë hetimit. As gjykimit në rastet kur hetimi do të prodhojë një akuzë penale.
Nga ana tjetër, askush që ndihet i pastër nuk ka arsye të verë kujën e anatemojë SPAK-un. Le ta sfidojë atë në gjykatë. Gjykata është institucioni i vetëm që bën drejtësi në të tre shkallët e sistemit gjyqësor të vendit. Madje edhe në një shkallë të katërt që është Gjykata e Strasburgut. Shto edhe në një të pestë që është Gjykata Kushetuese për çështje që cenojnë të drejtat kushtetuese të shtetasve. Në një sistem të tillë, drejtësia është e pamohueshme në shumicën dërmuese të rasteve, për të mos thënë në çdo rast. Kush del i pafajshëm në gjykatë rilind edhe moralisht e politikisht. Merr edhe dëmshpërblimin ligjor. Politika ka benefitet e veta, ka famën, por ka edhe trasparencën. Trasparenca nuk mund të ndalet më në burim, në hetim.
SPAK sulmohet egërsisht nga Berisha e Meta dhe anash-anash edhe nga Rama, pikësëpari sepse po bën detyrën që i ngarkon ligji, po bën fiks atë për të cilin është ngritur, po heton zyrtarë e ish zyrtarë të lartë, pavarësisht nga posti që kanë mbajtur a mbajnë.
Kjo stuhi është ngritur dhe shihet qartë se nuk do të ndalet. Përkundrazi: trasparenca ligjore do të ndriçojë aspekte të tjera të panjohura të veprimtarisë antiligjore e antipopullore të personave të inkriminuar që e kanë abuzuar me postet dhe besimin e qytetarëve. Hetimet nuk do të ndalen edhe në versionin e fitores eventuale të ish Presidentit Tramp në zgjedhjet amerikane të 5 nëntorit, prej së cilës kasta jonë plurale solidare, me Ramën lojtar në fushë, shpreson dy gjëra: minimalisht të fitojë kohë për t’i thyer tehun e mbajtur dorën drejtësisë së re; maksimalisht ta tjetërsojë atë, duke i mbivendosur një tjetër “drejtësi të re” përmes komisionit parlamentar “Xhafa”. Iluzion!
Mbështetja e fuqishme e drejtësisë së re nga SHBA, një shërbim në lartësinë e shërbimeve të mëdha që ky vend i madh i ka bërë Shqipërisë prej më shumë se një shekulli, nuk ka asnjë gjasë të rreshtë.
Top Channel