Pritjes gati 10-vjeçare për të parë xhaminë e Namazgjasë i erdhi fundi.
Perdet e investimit turk në qendër të Tiranës do të ulen pas jo më shumë se 24 orëve, por detajet i zbulojmë për herë të parë, me një arkitekturë të stilit klasik turk me katër minare, teksa në derën qendrore janë varur flamujt e dy shteteve.
Top Channel ka mundur të hyjë ekskluzivisht brenda xhamisë së Namazgjasë, një ditë para ceremonisë inauguruese.
Ndërsa gurthemeli i të cilës është hedhur që në vitin 2015, kjo godinë me përmasa gjigande është gati.
Ndodhemi në sallën kryesore të faljes së namazit që planifikon të ketë kapacitet për rreth 5 mijë besimtarë. Këtu në pjesën e poshtme të sallës do jetë një hapësirë dedikuar meshkujve, ndërsa kati i dytë i godinës për faljen e grave dhe vajzave.
Laurent Luli, nënkryetar KMSH thotë: “Do të plotësojë nevojat për besimtarët e kryeqytetit sepse ka kapacitet të madh. Një xhami që do të jetë multifunksionale sepse veç adhurimeve që do mund të bëhen nga besimtarët do të ketë edhe shërbime, sallë konferencash, bibliotekë…”.
Të parët që kanë pasur fatin e përjetimit të faljes në xhaminë e re janë vetë punonjësit, të cilët po merren me përgatitjet e fundit një ditë para inaugurimit, ku natyrshëm detajet po i vëzhgojnë edhe zyrtarët e dy shteteve.
Mirëpo çelësin e hapjes së xhamisë së Namazgjasë e kanë presidenti i Turqisë Erdogan dhe kryeministri shqiptar Edi Rama, që pas një deklarate të përbashkët në drekë, do e nisin ceremoninë çelëse që parashikohet të zgjas një orë, në 4:30 të pasdites.
Më herët, pritja e presidentit Erdogan do të bëhet nga presidenti Bajram Begaj, si dhe do të zhvillohet një mbledhje e këshillit të bashkërendimit të nivelit të lartë.
“Më shumë është një ceremoni ndërshtetërore sesa ceremoni fetare”, shtoi nënkryetari i KMSH.
Në mbikëqyrje të eventit hapës të xhamisë së Namazgjasë është edhe komunitetit mysliman shqiptar që e cilëson këtë hap si plotësim të një ëndrre të hershme.
Ndërsa sqaron se kush do të jetë përgjegjës për funksionimin e një ndër xhamive më të mëdha në Ballkan, që ka vendndodhjen pranë kuvendit shqiptar në Tiranë.
Top Channel