Në pamje të publikuara sot nga mediat ndërkombëtare shiheshin përpjekjet e guximshme por të padobishme të rojeve të armatosura të një çisterne që qëllonin ndaj një barke të mbushur me eksplozivë, para se ajo të përplasej me shpërthim në anë të anijes ne Detin e Kuq.
Barka e komanduar në distancë ishte e mbushur me eksplozivë dhe shpërthimi hapi një vrimë të madhe në trupin e transportueses me flamur të Panamasë, teksa lundronte të martën drejt Kanalit te Suezit.
Anija u përfshi nga flakët teksa shpërthimi ngriti një shtëllungë të madhe tymi.
Sulmi i dyshuar nga rebelët jemenitë Houthi, ndodhi 110 kilometra larg portit të Hodeidah në Jemen, që ditët e fundit është goditur nga sulme ajrore izraelite.
Rojet e armatosura shihet që më kot qëllojnë ndaj barkës që vinte me shpejtësi drejt trupit të anijes, pa mundur ta ndalonin.
Disa sekonda më vonë shpërthimi çan pjesën e përparme të transportueses. Nuk raportohet per te plagosur.
Një zëdhënës Houthi mori përgjegjësinë për sulmin duke thënë se barka kishte eksplozivë dhe se një dron ishte përdorur në goditje, shkruan rrjeti Daily Mail.
Një tjetër transportuese me flamur të Liberisë u sulmua kësaj jave teksa lundronte drejt Kanalit të Suezit, njoftonin analistët britanikë të konfliktit Ambrey.
Sulmet e rebelëve jemenitë Houthi, të mbështetur nga Irani, janë shtuar ditët e fundit që prej fushatës ushtarake izraelite në Liban, dhe më herët në Gaza e në Bregun Perëndimor, shkruan Daily Mail.
Top Channel