Një sulm izraelit në kampin humanitar ka vrarë të paktën 19 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës.
Më herët, Mbrojtja Civile e Gazës raportoi se të paktën 40 palestinezë u vranë dhe më shumë se 60 të tjerë u plagosën. Arsyeja e mospërputhjes së dy shifrave nuk është e qartë.
Sulmi goditi një zonë bregdetare në jug të Gazës, në të cilën dhjetëra mijëra njerëz kishin ikur nga bombardimet e Izraelit në pjesë të tjera. Shumë prej tyre jetonin në tenda të holla dhe në kushte shumë të vështira.
Dëshmitarët okularë raportuan se të paktën pesë raketa goditën zonën.
Çfarë thotë Izraeli? Ushtria izraelite tha se “goditi terroristë të rëndësishëm të Hamasit që po vepronin brenda një qendre komandimi dhe kontrolli brenda zonës humanitare” në Khan Younis.
Në korrik, zyrtarët izraelitë thanë se shefi ushtarak i Hamasit, Mohammed Deif ishte në mesin e të paktën 90 palestinezëve të vrarë në një sulm në Al-Mawasi, vendin ku ndodhi sulmi.
Çfarë thotë Hamasi? Grupi militant tha se deklarata e Izraelit se luftëtarët e tij ndodheshin në zonë ishte “një gënjeshtër e hapur, përmes së cilës ai (Izraeli) kërkon të justifikojë këto krime të tmerrshme”. Hamasi tha se “dhjetëra civilë të paarmatosur, shumica e të cilëve ishin fëmijë dhe gra” u vranë në sulm.
Çfarë thonë punonjësit e shpëtimit? Ekipet lokale thonë se po luftojnë për të shpëtuar njerëzit e zhdukur nën rërë.
Rreth 20 deri në 40 tenda u shkatërruan dhe “familje të tëra janë zhdukur në rërë”, tha zëdhënësi i Mbrojtjes Civile të Gazës, Mahmoud Bassal.
Top Channel