Kryeministri Edi Rama iu rikthye ngjarjes së rëndë të ndodhur në Pogradec muajin e shkuar, ku tha se PS nuk mbron as ministrat, dhe jo dajën e autorit që thuhej se kishte lidhje me partinë.
Nga Asambleja e Partisë Socialiste në Durrës, Rama dha se ngjarja nuk u fsheh, u reagua në kohë, por nuk kurseu kritikat për prokurorinë që ndryshoi masën nga vrasje me dashje, në vrasje nga pakujdesia.
Rama: Kush e kush të helmojë më shumë popullin ndaj nesh dhe nuk bëjnë asnjë ditë të vetme punën e tyre për të mbjellë ca besim më shumë në popull për veten e tyre. Qasja e tyre ndaj ngjarjes kriminale të para disa javëve në Pogradec, është një shembull i freskët, domethënës për të ilustruar se kush janë ata të gjithë bashkë. Të gjithë në politikë e në media u munduan ta manipulojnë dhe përdorin vrasjen e një djali të ri, overdozë helmi propagandistic, për të nxitur urrejtjen ndaj nesh. Me shpejtësinë marramendëse të gënjeshtrës për të marrë dhenë u prodhua një film i kronikës së zezë u mblodhën bashkë të tëra të këqijat e mundshme. Ndërsa komunikata e qartë e policisë së qarkut Korçë për ngjarjen në rastin më të mire, u hodh në cepat e lajmeve dhe të komenteve e opinioneve mediatike, të cilat i dominoi fantazia kriminale e gënjeshtarëve dhe gjuha ekstremiste e spekulantëve politikë dhe mediatikë.
U tha me të madhe se vrasja kishte ardhur si pasojë e një gjobe të pa paguar për të cilën viktima e gjobitur u vra nga një bandë gjobitësish. Gënjeshtër. Nuk ka pasur asnjë gjobë.
U shkruajt se Pogradeci qenke bërë një si qeli e viteve ’80 ku ligjin e bëkan bandat e gjobëvënësve. Gënjeshtër! Pogradeci është ndër zonat më të patrazuara nga çfarëdolloj kriminaliteti në Shqipëri.
U vu kuja se policia kishte tentuar ta fshihte krimin. Gënjeshtër. Shpejtësia e veprimeve të policisë në identifikimin dhe ndalimin e autorit është e dokumentuar.
U bërtit fort se ambulanca kishte ardhur me 40 minuta vonesë. Gënjeshtër. Koha e lajmërimit dhe mbërritjes së ambulancës me shpejtësi është e dokumentuar në sistemin kompjuterik të komunikimit të Urgjencës kombëtare.
U përhap përralla se autori i krimit kishte mbrojtje politike ngaqë një dajë i tij ishte eksponent i lartë i PS në Pogradec. Gënjeshtër. Jo vetëm dihet botërisht që PS nuk mbron politikisht as ministrat e saj kur ata kërkohen nga drejtësia, por në rastin konkret ai dajë në fjalë, i cili ka qenë dikur pjesë e PS është një person më pas i dënuar për abuzim me detyrën dhe prej kohësh nuk ka asnjë lidhje me asnjë angazhim të PS, ndërkohë që i ndjeri po, ai ishte anëtar me teser i PS dhe nuk ishte pronari i lokalit ku ndodhi përplasja me pasojë vrasjen e tij, por punonjës i OSSHEE-së.
Mirëpo derisa e vërteta të vishte pantallonat, gënjeshtra me 7 bishta e bëri 7 herë xhiron e vendit tonë të vogël. Edhe me ndihmën e një prokurori të paaftë në rastin më të mirë dhe të papërgjegjshëm në rastin më të keq, që pa kryer asnjë hetim e ndryshoi përcaktimin e policisë si vrasje me dashje në vrasje nga pakujdesia, duke revoltuar të madh e të vogël. Kështu popullit iu dha pa pikë turpi dhe mëshire, doza e helmit të mbiprodhuar për të bërë politikë me një vdekje tragjike, deri dhe duke organizuar një protestë mashtruese, kundër qeverisë, ndërkohë që çështja ishte dorëzuar korrektësisht nga policia në duart e një pushteti tjetër, atij gjyqësor, qysh në orët e para pas ngjarjes. Për të larë pastaj ujin e trashë me të hollin, prokuroria e rrethit gjyqësor të Korçës shkoi mori të pandehur dhe një polic patrulle, duke treguar se as nuk e ka haberin e rolit të patrullës në raste të tilla, hetimi i të cilave është jashtë çdo kompetence të patrullës policore. Por, më keq akoma, duke bërë politikë në vend që të bënte të vetmen punë që duhet të bëjë, hetim të drejtë, të paanshëm, të pavarur dhe sa më të shpejtë. Kjo nuk është as e para as e fundit lojë politike e mediatike, kur e vërteta bukoset brenda çorapit të pistë të thurur me gënjeshtra. Në këto kohë të reja për mbarë botën, lumenjtë e dezinformimit të lajmeve të rreme, fryhen papushim nga prurjet e turli lloj burimeve të ndotura, të cilat e çojnë helmin ngado përmes kanaleve të pafundme të botës online.
Top Channel