Deri dje quheshin djemtë e Dubait. Por përpara gjykatës së posaçme dhe SPAK ata janë Plarent Dervishaj dhe Julian Meçe, të dyshuar si anëtarë të grupit kriminal që deshi të tentoi të vrasë prokurorin Arjan Ndoja.
Por që gjatë këtyre përpjekjeve eliminuan shoferin e tij Andi Maloku. Mbasi u sollën në Rinas, as të ekstraduar as të deportuar, SPAK nuk ka pritur gjatë, por ka kërkuar të lihet në fuqi masa ndaj Dervishaj dhe Meçe. Kjo kërkesë ishte për të zbatuar masat që ishin shpallur në mungesë dy vite më herët.
Seanca u mbaj me dyer të mbyllura dhe Dervishaj e Meçe pretenduan se ishin kthyer në Shqipëri me vullnetin e tyre. Një version i vështirë për tu besuar, përderisa ndaj akuzat ndaj tyre janë të rënda si edhe koha që i janë shmangur drejtësisë ndër vite. Dervishaj dhe Meçe u njohën me masën për atentatin e 2019 ku u vra Andi Maloku.
Ndërkohë që për Dervishaj ka në fuqi edhe masa të tjera në mungesë për krime si vrasja e Klodian Saliut dhe atentati i telekomanduar ndaj Vajdin Lame dhe Artan Arsi, treguar nga bashkëpunëtori i drejtësisë Luftar Reci. Gjatë seancës prokurori i posaçëm nuk i dha asnjë detaj gjyqtares, se si u realizua dorëzimi i të kërkuarve nga Emiratet e Bashkuara, të cilët u deklaruan si të arrestuar në çastin që prekën tokën shqiptare.
Dërgimi i tyre në paraburgim vjen në kohën kur kryeprokurori i SPAK dhe njerëz të tjerë të të drejtës kanë vënë theksin tek mungesa e një marrëveshjeje me Emiratet e Bashkuara për të sjellë para gjykatës personazhe të botës së krimit. Për SPAK nuk ka rëndësi se si u sollën në Shqipëri dy të dyshuarit, por rëndësi ka që ata mbërritën nga Dubai, ku të tjerë personazhe vazhdojnë në kërkim ndërkombëtar.
Top Channel