Aktori Timo Flloko ka publikuar një poezi të tij, në nder të shkrimtarit më të madh shqiptar Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta më 1 korrik në moshën 88-vjeçare.
Bashkangjitur me poezinë, aktori ka ndarë edhe një fotografi të veçantë përkrah kolosit të letrave shqipe, në një nga momentet e tyre së bashku.
Në vargjet kushtuar letrarit, të quajtur Kadare, në kllapa “Requiem”, që në latinisht do të thotë “Meshë e Kishës Katolike”, Flloko e nis poezinë duke përshkruar ditën me dhembjen e madhe pa gjeniun e letrave shqipe.
Edhe kafen e preferuar të Kadaresë, aktori e përshkruan si shkretëtirë. Ndërsa ndarjen e tij nga jeta e cilëson si zbarzëti në zemrat e mijëra personave që e donin atë si personazh dhe si shkrimtar.
KADARE (Requiem)
Nga Timo Flloko
E piva kafen e helmët pa ty, këtë mëngjes,
Dhembjen, fillikat, me kë ta ndaja,
Chateau Juvenilja tek e shoh më ngjan,
Më shkretëtirë se Saharaja…
Ike heshtjes si gjigant, i menduar,
(Bëre vallë pakt të fshehtë me ikjen?!)
Le bosh pas vetes, në mijëra zemra,
Zbrazëti pa skaj, apokaliptike…
(Pse vijnë gjenitë dhe ikin nga kjo botë..?!)
Ikja jote është shtegtim qiellor,
Vdekjen s’mund as ta imagjinoj dot!
Mortin s’mund ta marr as me mend..
Një zog erdh’ a m’u faneps
Fluturimin ndali, u ul në vendin tënd,
(Të ish hij’ e Nobelit ai udhëhumbës,
Me pendesën në vete, një gjasë aq e rrallë,
U nis por mbërriti vone, nga erërat që frynin,
Korb u bë nga mërzia, se s’të gjeti gjallë…)
U përmenda ne fund, humbës në atë bosh,
Hodha sytë në qiell, përtej, te e panjohura,
Me pafundësinë u shkri, atje përjetshëm,
Shpirti yt shtegtar që kapërcen kohërat.
Kadare ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare. Ai lindi në Gjirokastër, më 28 janar të vitit 1936. Ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82), zv/kryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.
Si shkrimtar u shqua kryesisht për prozë, por kontributi i tij u shtri edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.
Në vitin 1996, Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin “Princ i Asturias” për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jeruzalem” më 2015. Viteve të fundit, ai e ndante kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.
Top Channel