“I the të gjitha, fli i qetë”, Rama nxjerr fotot nga ceremonia për Kadarenë, ja çfarë shkruajti në “Librin e Kujtimeve”

03/07/2024 23:08

Kryeministri Edi Rama ka publikuar fotot e ceremonisë që u mbajt të kujtim të shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare.

Përmes fotove ai ka treguar se çfarë ka shkruar në “Librin e Kujtimeve” të shkrimtarit, gjatë zhvillimit të homazheve.

“I the te gjitha, fli i qetë”, ka shkruar Rama.

Postimi i plotë i Edi Ramës:

FotoALBUMI i ndarjes me kolosin e gjuhës shqipe, Ismail Kadare dhe fjala pranë arkmortit të tij

💔Këtë hije të Nënës Terezë mbi trupin e Ismailit nuk e solli kush e përgatiti këtë ceremoni shtetërore.
Ishte këtu.

Kishte ardhur më parë.
Njoftimi që salla ishte e zënë dhe Nënë Tereza nuk lëvizej dot prej aty, më erdhi bashkë me foton e kësaj skene, e cila po montohej për një shfaqje sonte.

Lëreni aty u thashë, nuk ka më mirë.
Askujt nuk do t’i shkonte mendja çka rastësia e solli këtu, enkas për Ismailin dhe më mirë se sa nën hijen e saj, shqiptares që i takon botës, assesi tjetër nuk mund të bëhej ceremonia e përcjelljes nga jeta të shqiptarit që i takon botës.
Dhe duke e pasë njohur, e dita në çast që nën hijen e shenjtores së tij të dashur, Ismaili symbyllur do të ndjehej i marrë nën mbrojtje nga të tërë ata shumë që s’e donin, po edhe nga ata jo pak që e donin po s’do t’i donte assesi rrotull, përgjatë kalimit të tij nga kjo botë në tjetrën.

Ndërkohë, qyshse lajmi i vdekjes së Ismail Kadaresë mori dhenë, në kutinë e mesazheve të shpeshta të ditëve të mia të zakonshme, më vinin hera-herës opinione të ngutura nga një ankth i çuditshëm për vendvarrimin e tij.
I lexoja dhe më kujtohej Ismaili.
Përpiqesha të merrja me mend se si do t’i merrte ai, ato propozime të pakërkuara për ta varrosur tek Vëllezërit Frashëri, tek parku përballë Rognerit, tek fusha e gjelbërt mbrapa kryeministrisë, tek Varrezat e Dëshmorëvetë Luftës Nacional – Çlirimtare, e deri tek Varrezat e Dëshmorëve në Kosovë.

Nuk e di dot çfarë do të thoshte.
Po e di njësoj si ai arkmort ku është shtrirë trupi i tij, se po t’ia kisha treguar dot vigjiljen time të këtij ceremoniali dje në darkë, atje në Durrës tek shtëpia buzë detit, ku u mbyll për të ndjekur perëndimin e diellit të vet si një spektator i zbritur nga jeta e gjatë në zenith, do të argëtohej shumë – e siç thoshte Gabriel Garcia Markezi, do t’i vinte plasja që nuk do të merrte dot pjesë në funeralin e vet.

Kur edhe Helena më çoi fjalë se donte veç fjalën time në këtë funeral, duke i qëndruar besnike si në të gjitha herët Isit të saj, i cili kishte një alergji të rëndë nga tubimet, nderimet, e sidomos fjalimet, zgjodhi besoj të keqen më të vogël.
Një fjalim të pashmangshëm të rastit, po të paktën nga dikush që nuk flet thjesht se ia kërkon detyra, por edhe si dikush me të cilin Ismailin e lidhte kënaqësia e bisedave jo të shpeshta.

Kështu ky nder kaq i posaçëm, përveçse një barrë e rëndë përgjegjësie, mu pranë arkmortit të njeriut që e ngjiti gjuhën shqipe majën më të paarritur nga asnjë lëvrues i saj, ndërsa letërsinë shqipe në panteonin e mbarë botës së letrave, m’u bë edhe një siklet i ububushëm, po aq i rrallë sa dalja në një provim përballë fytyrës tallëse të Ismailit me tubimet, nderimet dhe fjalimet.
Në fakt, sa e mora vesh që vdiq dhe mendova pashmangshmërinë e përgatitjes së ceremonialit, bashkë me pamundësinë për ta shmangur unë vetë përfshirjen në tubim, nderim e fjalim, m’u bë si pullë poste që s´më ndahet nga sytë pamja e tij e sekëlldisur gjatë ceremonisë së gradimit me shkallën më të lartë të Urdhërit të Legjionit të Nderit, nga vetë Presidenti i Francës, në Pallatin e Brigadave.

E qyshse filluan të merrnin jetë, komisioni i posaçëm shtetëror i ceremonialit funebër dhe paralelisht përplasjet e opinioneve në skenë e në prapaskenë për të dhe vendvarrimin e tij, u ndjeva personazh i kurthit të fundit letrar të Ismail Kadaresë, një vorbull e hatashme ëndrrash në zgjëndërr, me mua vetë si nëpunësin e pallatit të zhgjëndërrt të atyre ëndrrave.
Kërkohej një varr. Kush mundej thoshte të vetën, si në një garë të vetëshpallur ethesh letrare, ku ai apo ajo që do të gjente vendin ideal për gropën e trupit pajetë të autorit të“Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur” dhe“Komisionit të Festës”, do të siguronte edhe vendin më pranë tij në botën tjetër.

Bashkë me fytyrën e sekëlldisur në sy, më rri në vesh vargu i tij paralajmërues për vdekjen, “Do bëj një shenjë dhe do ik”, e më ngjan se e gjitha kjo novelë e pashkruar me kërkimin e vendvarrimit, ku nuk ka sesi mungon edhe sivëllau i tij i madh Naimi, të cilit ia ndërruan varrin plot pesë herë, e në këto orë të ethshme mes realitetit, historisë dhe letërsisë, donin t’ia ndanin më dysh për t’i futur pranë Ismailin, si dikur ata të dalët nga burgu që i futën në shtëpitë e të vdekurve për së gjalli të regjimit të vjetër, po as mund të mungojnë edhe plot të tjerë të varrosur, zhvarrosur e rivarrosur në këtë vend.

“Kështu është kur nuk e kemi si tërë bota një panteon për kokat e vdekura të kombit”, thanë disa. Ndonjë tjetër bëri thirrje për “mauzoleum”, duke na siguruar të tërëve se ndryshe nga mauzoleumi i atij gjirokastritit tjetër, që përfundoi në një gërmadhë të përmjerrë nga urrejtja e dikur adhuruesve të tij, ky i dikur djaloshit të “Kronikës në gur”, do t’i rezistonte të tëra kohërave si një tempull budist, ku nga brezat e nënshtruar në adhurim për autorin e “Breznisë së Hankonatëve”, mijëra Ismailë të vegjël do të ngriheshin nga humbja e madhe e vetëm njërit që patëm hëpërhë në 500 e kusur vjet.

Ndërsa unë, pjesë e pavullnetshme e këtij zgjatimi grotesk në jetën reale të botës kadarejane, në rolin e nëpunësit të autorizuar nga qeveria për mbarëvajtjen e organizimit të funeralit, mendova që po të bënim një kullë mbrapa Skënderbeut, me shumë apartamente për të tërë të vdekurit me emër të madh apo të zmadhuar të këtij vendi, do ta mbyllnim mbase përgjithnjë problemin historik të gjetjes së vendvarrimit të duhur në kësi rastesh. Mirëpo pastaj u ndala i tmerruar, jo vetëm nga mundësia reale e prurjes së papërballueshme të lumit të kërkesave për apartament nga aq shumë “ndere kombi” të bëra në këto vite për një mori të vdekurish, po edhe më shumë akoma nga ideja e krijimit të një radhe të gjatë të gjallësh, të cilët sipas çdo gjase mund të paraqisnin bashkë me CV-në përkatëse, kërkesën për të vdekur që të siguronin një apartament në atë kullë.

I dashur Ismail,
nuk ta tregoj dot sa do të doja të ta tregoja ç’më panë sytë e ç’më tha mendja duke u marrë me funeralin tënd, por së paku më duhet të të falenderoj që me këtë novelë të pashkruar, e cila është padiskutim ajo shenja që shkruajte se do të bëje para se të ikje, më dhe edhe përgjigjen që s’ta mora dot në gjallë, kur thoshe nuk shkruaj dhe nëse të pyesja po pse jo, ma ktheje, i kam thënë të tëra.
Nuk bindesha dot, e më dukej mëkat që pena e tij ishte shtrirë e pajetë diku në shtëpinë buzë detit. Por sot jam plotësisht i bindur se Ismail Kadareja i tha vërtetë të tëra ç’kishte për të thënë dhe s’kam asnjë dyshim që ky vend nuk do ta zhgënjejë kurrë në atë bindje kokëfortë të tij, sepse kurrë nuk do të rreshtë së përsërituri me vete, mbase me mënyra të reja, por pa thënë asgjë të re, gjithçka ai tha për të e për kë në të jetoi apo do të jetojë.
Prandaj edhe ndër të tërët them unë, jo më në rolin e pakërkuar të personazhit të novelës së sapojetuar, po thjesht në funksionin e zëdhënësit këtu edhe të qeverisë shqiptare e jo thjesht të dikujt që mendon kështu, Ismail Kadareja e meriton të prehet në një banesë të fundme që të jetë krejt e tija.
Jo bashkë me dëshmorët, sepse as ishte dëshmor dhe as nuk kishte gjëkundi, në asnjë qelizë të tijën dëshirën apo gatishmërinë për të rënë dëshmor.

Jo bashkë me vëllezërit Frashëri, të cilët ishin ndër fare të paktët që ai donte dhe respektonte sinqerisht, sepse as nuk ia kanë borxh t’i bëjnë vend në varret e tyre, e as nuk na e kishte ai borxh që t’ia ndalojmë vetminë e tij aq shumë të dashur, vetëm e vetëm sepse nuk na ndalon dot, duke na parë me atë shpotinë e vet për të na thënë atë jonukduan e tij proverbiale.
Jo tek parku përballë Rognerit dhe as tek fusha e gjelbërt mbrapa kryeministrisë, sepse jo vetëm që një vend i qytetëruar nuk i mban bashkë, në të njëjtat mjedise të hapura urbane, të gjallët me të vdekurit, pa i ndarë së paku me mure të larta apo distanca të mjaftueshme për të mos parë përditë njëri-tjetrin, po edhe sepse kur mendon, që Ismaili i ikte sa mundte të vendeve ku qarkullonin e mblidheshin njerëz, kjo do të ishte si t’i imponohej përjetësisht bashkë me vdekjen edhe një dënim fatal i barabartë me jetën në ferr.

Ismail Kadareja jetoi si dëshmitar i një fjale për të cilën mori të tëra lëvdatat e nderimet e mundshme të botës dhe të tërë cmirën dhe sharjet e mundshme të vendit që e lindi. Nuk e mori çmimin Nobel, po mbeti në arkivat e proçes-verbaleve të Komitetit të Nobelit, i vetmi kandidat për të cilin ka një dosje letrash anonime nga bashkëatdhetarët e tij.
Ai erdhi, shkroi dhe iku.
Ne i kemi vetëm një detyrim. T’ia respektojmë ikjen, duke i dhënë në kohën dhe vendin e duhur një banesë të fundit, ku të mos ndjehet i kërcënuar as nga dashuria e pakërkuar që e kishte tmerr, as nga fqinjësia asnjëherë e dëshiruar që e kishte lemeri, dhe as jo e jo nga tubimet, nderimet e fjalimet sidomos, që i kishte llahtari.
Sa për sot, është kërkesë legjitime e hijes së tij të pandashme, Helenës, që vendosja e përkohshme e trupit të tij në Tufinë të bëhet vetëm në praninë e familjarëve.
S’ka asnjë dyshim se ky do të ishte edhe vullneti i Ismailit nëse do të pyetej, prandaj në emër të saj, u kërkoj të gjithëve respektimin e këtij vullneti dhe mbylljen e homazheve në çastin e nisjes së korteut të vogël familjar nga sheshi këtu përpara për në varrezat e qytetit.

Duke e ndalur këtu fjalën time, e cila do të duhet të mbyllet bashkë me tranzicionin e qëndrimit të trupit të shkrimtarit tonë kombëtar në banesën e tij të fundit, ku do të kryhet edhe në praninë e miqve të tij nga Franca e gjetkë, pjesa përmbyllëse e ceremonisë shtetërore të nderimit të Ismail Kadaresë, e kam të nevojshme ta falenderoj edhe publikisht Ismailin për një dhuratë shumë speciale, të cilën ai ma ka bërë mua dhe të gjithë brezave të dashnorëve të paepur të gjuhës shqipe, me përkthimin magjepsës të Resë në Pantallona të Majakovskit.

Ai e di, ia kam thënë më shumë se sa njëherë, po edhe unë sot e di, që do t’i vinte shumë mirë nëse po të kishte mundësi të merrte pjesë këtu me sy e veshë në funeralin e tij, do t’i dëgjonte këta rreshta:

“Mendimin tuaj,
që ëndërron në trurin e butë,
si lakeu i dhjamur në kanapenë me zdral,
do ta tall me zhelen e përgjakur të zemrës;
gjersa të ngopem, idhnak e brutal.”
Prehu në paqe Ismail. I the të gjitha.

FOTO GALERI
9/17

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA