Eliminimi i turpshëm i Italisë nga Europiani në fazën e 1/8-ave përballë Zvicrës, nuk është përtypur aspak mirë nga mediat italiane, të cilat bëjnë fajtor trajnerin Luciano Spallettin.
Prestigjiozja italiane, “SportMediaset” ka renditur pesë gabimet e pafalshme të Italisë në këtë Europian, duke nisur që nga fitorja e ngushtë me Shqipërinë në Dortmund, disfata me Spanjën, barazimi me Kroacinë dhe humbja në fund me Zvicrën, që rezultoi e pafalshme.
Përgjegjësia bie gjithmonë mbi trajnerin dhe nga kjo nuk shpëton as Spalletti. Ndryshimi i tepërt i formacioneve dhe pa gjetur një zgjidhje duket se kanë ndikuar në dështimin e Italisë për të ruajtur kurorën europiane. Spalletti vazhdon në rrugën e tij lozonjare, madje duke thënë se “nuk jam i aftë të bëj asgjë tjetër”.
Një tjetër gabim është mos-studimi i kundërshtarit. Dominimi që Zvicra bëri ndaj Italisë, me këtë të fundit që arriti të godiste topin në portë vetëm një herë, duket se ngre dyshime te mediat italiane. Sipas tyre vetëm një skuadër që nuk e ka studiuar kundërshtarin mund të dominohej në atë mënyrë.
Forma e lojtarëve është një tjetër problem. Trajneri e nënvizoi gjerësisht këtë pas humbjes, duke kujtuar se lojtarët nuk ishin në maksimumin e tyre as në fillimin e këtij Europiani. Sezoni ishte i gjatë, por kjo ndodh edhe për çdo kombëtare tjetër. Në të vërtetë, kombëtaret e tjera sigurisht që kanë lojtarë më të lodhur, duke qenë se Azzurri është një ekip që është mesatarisht i ri dhe ka përjetuar një vit pa shumë probleme të lidhura me kupat europiane (nga njëmbëdhjetë titullarët, dje, vetëm Scamacca luajti në një finale me Atalantën).
Përveç Donnarummës, të gjithë lojtarët e tjerë duket se janë fajtor. Sulmi ishte një nga më të dobëtit në këtë kompeticion, teksa me faj janë dhe lojtarë të tjerë si Di Lorenzo, Dimarco, Jorginho, Barella, të cilët nuk e dhanë maksimumin e tyre.
Së fundi, edhe qasja duhet të kritikohet. “Me Shqipërinë pësuam gol menjëherë, me Spanjën dhe Kroacinë Donnarumma na shpëtoi nga përsëritja e përvojës së keqe, dje pësuam një gol të dytë pikërisht në fillimin e pjesës së dytë kur prisnim dëshirën për hakmarrje dhe një barazim. Apatia që nganjëherë duket se kufizohet me frikën e hyrjes në fushë , nuk mund të jetë tërësisht faji i Spallettit apo lojtarëve”, shkruan “SportMediaset”, duke ia ngjitur fajin dhe faktorëve të jashtëm si drejtuesit.
Top Channel