Borrell: Miqësia me Putinin dhe anëtarësimi në BE nuk shkojnë së bashku

24/06/2024 21:19

Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, paralajmëroi se ambiciet për anëtarësim në bllok dhe raportet e ngushta me Moskën nuk shkojnë së bashku.

“Harmonizimi me politikën tonë të përbashkët të jashtme dhe atë të sigurisë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor konsiderohen një zgjerim i zgjedhjes së tyre strategjike dhe përkushtim për anëtarësim. Mbajtja e raporteve të ngushta me regjimin e [presidentit rus, Vladimir] Putinit nuk është në përputhje me ndërtimin e të ardhmes së përbashkët me dhe brenda BE-së”, tha shefi i diplomacisë evropiane pas përfundimit të takimit me ministrat e Jashtëm të BE-së që u mbajt në Luksemburg.

Si pjesë e takimit ministror, krerët e diplomacisë evropiane zhvilluan një drekë pune me homologët e tyre nga Ballkanit Perëndimor. Përshtatja me politikën e jashtme evropiane përfshin edhe sanksionet ndaj Rusisë dhe kjo ishte ndër temat kyçe të diskutimeve gjatë kësaj dreke pune.

Sipas Borrellit, BE-ja është e gatshme që gradualisht të thellojë integrimin dhe të zgjerojë mbështetjen për partnerët nga Ballkani Perëndimor. Por, ai tha se Brukseli pret që këto shtetet qëndrojnë së bashku me evropianët në mbrojtje të rendit ndërkombëtar dhe veçmas për çështjen e Ukrainës dhe masave të ndërmarra për të kundërshtuar pushtimin rus të Ukrainës.

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë, kanë harmonizuar vendimet me BE-në sa i përket sanksioneve kundër Rusisë. Që nga nisja e pushtimit më 2022, BE-ja ka vendosur 14 runde sanksionesh ndaj Rusisë në përgjigje të agresionit kundër Ukrainës.

Në këtë takim, Kosova u përfaqësua nga kryediplomatja Donika Gërvalla. Ajo kërkoi integrimin e mëtejmë të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Në kohën kur në Evropë po përballemi me agresionin rus kundër Ukrainës, një Bashkim Evropian më i fortë është një përgjigje më e mirë për t’iu përgjigjur sfidave të së sotmes dhe të së ardhmes”, tha ajo.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, la të kuptohet se vendi i tij do të harmonizojë politikën e jashtme kur të anëtarësohet në BE.

“Ne biseduam [për sanksionet]. Serbia sigurisht do të ketë një politikë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë kur të anëtarësohet në BE dhe do të jetë në pozitë të ndikojë në politikën e përbashkët të jashtme dhe atë të sigurisë”, tha ai.

Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, që aspirojnë të janë në faza të ndryshme në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në bllokun evropian.

Nga këto, Serbia dhe Mali i Zi janë dy shtetet që kanë bërë më shumë përparim drejt anëtarësimit në bllokun evropian, pasi që kanë hapur disa kapituj në bisedimet për anëtarësim. Kosova, ndërkaq, është e fundit në rrugën drejt BE-së, pasi shteti ende nuk ka as statusin e vendit kandidat./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA