Kancelari gjerman Olaf Scholz i dha një përgjigje pikëpyetjeve që ngriti vendimi i rrufeshëm i kampit perëndimor për ta rrëzuar me shpejtësi propozimin e presidentit rus, Vladimir Putin për paqe në Ukrainë.
Sipas kreut të qeverisë gjermane, liderët e Grupit të Shtatë (G7) vendeve më të industrializuara nuk e shtruan fare për diskutim këtë propozim, sepse e dinin që ai nuk ishte serioz.
Putin u zotua të premten se do të urdhëronte “menjëherë” armëpushim në Ukrainë dhe fillim të bisedimeve, nëse Kievi fillon t’i tërheqë trupat nga katër rajone ukrainase që Moska pretendon se i takojnë asaj, dhe nëse heqë dorë nga kërkesa për t’iu bashkuar NATO-s.
“Putini e bëri këtë propozim vetëm sa për ta shpërqendruar vëmendjen nga samiti në Zvicër. Të gjithë e dimë se një hap i tillë nuk u mendua seriozisht, por kishte të bënte me konferencën e për paqen“, tha Scholz.
Kushtet e Putinit nuk ishin të reja, por janë paraqitur disa herë në të shkuarën nga zyrtarë rusë. Presidenti rus u përpoq të tregonte se propozimi i tij synon “zgjidhje përfundimtare” për konfliktin në Ukrainë dhe jo “ngrirjen e tij” dhe theksoi se Kremlini është “i gatshëm të fillojë negociatat pa vonesë”. Por presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, nxitoi të deklaronte se ofertës së presidentit rus për armëpushim nuk mund t’i besohet.
Top Channel