Akademiku Rexhep Ferri u shua në moshën 86 vjeçare.
Ferri i përket gjeneratës së artë të piktorëve kosovarë. Ai u lind në Kukës në vitin 1937.
Më 1958 mbaroi Shkollën e Mesme të Artit në Pejë. Në vitin 1962 botoi poezitë e para, nga cikli “Shëtitësit e lodhur” në revistën letrare “Jeta e re” në Prishtinë dhe paralajmëroi se poezia dhe letërsia në përgjithësi do të jetë preokupimi i tij pothuaj po aq sa edhe artet pamore.
Në vitin 1966 u diplomua në Degën e Pikturës Monumentale në Akademinë e Arteve në Beograd ndërsa në vitin 1970 mbaroi studimet pasuniversitare po në Akademinë e Arteve në Beograd.
Më 1971 mori çmimin e Dhjetorit të Kuvendit të Kosovës për kontributin e tij në fushën e arteve figurative. Në vitin 1974 zgjidhet pedagog i Akademisë së Arteve Figurative në Prishtinë. Nën drejtimin e tij nga ky institucion do të dalin emra tashmë të njohur të arteve pamore në Kosovë dhe më gjerë.
Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës zgjidhet në vitin 1996, ndërsa anëtar i rregullt në vitin 2000.
Ka organizuar shumë ekspozita të pavarura në vend dhe jashtë, ka marrë pjesë në manifestime të rëndësishme, ekspozita, bienale, takime, në Kosovë, në Ish Jugosllavi, por edhe në Francë, Itali, Gjermani, Turqi, Egjipt, etj.
Në vitin 1999 zgjidhet sekretar i Seksionit të Arteve në ASHAK.
Në vitin 2010 ASHAK botoi Monografinë ku pasqyrohet i tërë opusi i tij artistik, të cilës i prin prezantimi i Gëzim Qendros. Ka botuar disa përmbledhje me poezi, si dhe ese dhe romane.
Top Channel