Rikthehet “Mimoza Llastica”, filmi i Xhanfise Kekos restaurohet në 4K dhe mbyll Festivalin e Filmit në Tiranë

28/09/2026 16:50

Një nga filmat më të dashur të kinematografisë sonë, “Mimoza Llastica”, u rikthye i restauruar në ekranin e kinemasë.

Prodhimi i mbi gjysmë shekulli më parë i regjisores më të rëndësishme të filmit për fëmijë, “Mimozë Llastica”, Xhanfise Keko, është vlerësuar për gjuhën e sinqertë dhe të ndjeshme, që vazhdon të komunikojë me publikun edhe sot.

Restaurimi në 4K u realizua në Romë me mbështetjen financiare të Teuta Doçit, një nga shoqet e Mimozës në film, e cila ishte e para që iu bashkua nismës së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, “Adopto një film për restaurim”.

“Mendova pse të mos e bëj restaurimin e një filmi ku unë isha pjesëmarrëse para 53 vitesh. Ishte një emocion i rrallë. E bëra me shumë kënaqësi. Falënderimi u takon atyre që realizuan këtë film. Ne ishim tetë vajza të vogla dhe ata u morën me ne me shumë dashuri”, tha Teuta Doçi.

“Ka qenë një punë e gjatë restaurimi i këtij filmi, që përbën një kureshtje sa i përket aktorëve të vegjël, Xhanfise Keko, që u mor me këtë film, e të tjerët”, tha drejtori i Arkivit Qendror të Filmit, Eljan Tanini.

Kjo premierë u shfaq si filmi përmbyllës i Tirana International Film Festival, që në natën e fundit ndau çmimet për filmat, regjisorët dhe aktorët më të mirë pjesëmarrës.

Top Channel