Produksioni më i madh televiziv i vitit, Big Brother Vip 3, kurorëzoi suksesin e këtij sezoni në Top Channel me një ceremoni festive si një ritual falënderimi e mirënjohjeje për arritjet profesionale dhe fitoren e të gjithëve përmes këtij formati.
Kështu e etiketoi Big Brother-in Lori Hoxha, drejtuesja e Top Media, duke iu referuar njëkohësisht publikut, Top Channel, ekipeve realizuese dhe madje edhe kritikëve.
“Big Brother është produksioni më i shtrenjtë në Shqipëri dhe vetëm falë jush mund të bëhej i mundur. Dua të falenderoj të gjithë banorët që u bënë pjesë këtë vit. Uroj që t’iu ketë shërbyer e të ketë qënë ajo që ju ka munguar në këtë kohë të vitit. Unë mendoj që BIG BROTHER ka vetëm fitues, fiton TOP CHANNEL, fiton publiku, fitojnë bashkëpunëtorët, fitojnë ata që na mbështesin, ata që na kritikojnë; është një moment vetëm fitoreje”- u shpreh Lori Hoxha, drejtuese e Top Channel.
Ky rit festiv mediatik bëri bashkë banorët e Big Brother Vip 3 dhe profesionistët e Top Channel që garantuan suksesin e këtij sezoni. Prezantuesi Ledion Liço, i cilësuar gjithashtu si një nga fituesit e mëdhenj për moderimin me klas të këtij spektakli, e hapi ceremoninë me një falenderim për punën e produksionit.
“Jam shumë i lumtur që jeni këtu, dukeni shumë bukur, faleminderit shumë që keni ardhur”, u shpreh moderatori Ledion Liço.
Nuk i munguan ceremonisë as fituesit e drejtpërdrejtë të publikut, duke nisur nga Egla Ceno, që ishte protagonistja dhe kryefjala e këtij edicioni brenda shtëpisë përgjatë 133 ditëve izolim dhe po ashtu jashtë saj përmes komenteve dhe vëmendjes së publikut ndaj lojës që ndërtoi.
Ritit festiv iu bashkuan edhe të ftuarit specialë të “Big Brother VIP 3 After Party”, duke krijuar momente të veçanta përbashkuese.
Top Channel