Tashmë është zyrtare, Spanja, Irlanda e Norvegjia njohin Palestinën! “Tërbohet” Izraeli

28/05/2024 15:44

Irlanda zyrtarizoi sot njohjen e shtetit palestinez, ashtu siç kishte paralajmëruar pak ditë më parë në një linjë me qeverinë spanjolle e atë norvegjeze.

Vendimi që tërboi Izraelin, e çon në mbi 140 numrin e vendeve anëtare të OKB-së nga 193 që janë gjithsej, të cilat e njohin Palestinën si shtet. Deri më tani, një shtet i vetëm i BE-së, Suedia, e kishte hedhur një hap të tillë 10 vjet më parë, ndërkohë që njohja nga disa vende ish-komuniste të Europës Qendrore dhe Lindore – dikur nën ndikimin sovjetik – daton që përpara para anëtarësimit të tyre në klubin e Brukselit.

Norvegjia e përshëndeti njohjen e shtetësisë palestineze duke e ciëlsuar këtë të sotmen një ditë të veçantë ndërsa denoncoi mungesën e “angazhimit konstruktiv” të Izraelit për një zgjidhje me dy shtete. “ne kemi qenë ndër mbështetësit më të vendosur të një shteti palestinez për më shumë se 30 vjet”, deklaroi ministri i Jashtëm Espen Barth Eide.

“Dita kur Norvegjia njeh zyrtarisht Palestinën si shtet është një ditë e veçantë për marrëdhëniet Norvegji-Palestinë”, shtoi ai. Në një lëvizje të koordinuar me Spanjën dhe Irlandën, Norvegjia e njoftoi që javën e kaluar se do ta njihte zyrtarisht shtetin e Palestinës duke filluar nga e marta. Izraeli nga ana e tij e përshkroi këtë lëvizje si një “shpërblim” për Hamasin mbi shtatë muaj nga sulmi vdekjeprurës i 7 tetorit.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, pohoi më herët se vendi i tij do ta njohë shtetësinë palestineze, duke përfshirë Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor me Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e tij, por e theksoi nga ana tjetër se Spanja nuk do të njohë asnjë ndryshim të kufijve të përcaktuar më 1967, përveç rastit kur me këtë hap pajtohen të dyja palët.

Top Channel