“Po e mbani padrejtësisht në arrest”, Dumani i përgjigjet Nokës për Berishën: Drejtësia nuk mund të sfidohet! S’ka shans njeri të më ndikojë mua nga politika (E PLOTË)

22/05/2024 21:44

Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani u pyet sot në raportimin e tij në Komisionin e Ligjeve lidhur me vendimin për arrestin e shtëpisë të ish-kryeministrit Berisha.

I pyetur nga deputeti Noka nëse po lufton opozitën dhe me çfarë baze ligjore, Berishës i ndalohet e drejta komunikimit, ai tha se drejtësia nuk mund të sfidohet dhe ai vetë nuk është peng i askujt.

“Është çështje në hetim, nuk prononcohem dot. Drejtësia nuk mund të sfidohet dhe nuk jam peng i askujt. Unë nuk interpretoj vendime gjykate, është vendim gjykate”, u shpreh ai.

Pjesë nga pyetje përgjigjet: 

Noka: Si shpjegohet kjo kontradiktë e madhe, edhe sipas të dhënave të DASH apo të KE, por edhe sipas sondazheve dhe asaj që dihet, korrupsioni është shumëfishuar, goditja ndaj tij është minimizuar. Mos vallë i keni duart e lidhura? Mos vallë keni një ngërç diku sepse Rama funksionon edhe me pengmarrje dhe ne e njohim se si funksionon Edi Rama. Ju sot keni 18 prokurorë, janë edhe 60 hetues të BKH. Task-forca e luftës kundër krimit dhe korrupsionit në atë kohë nuk kishte as gjysmën e këtij stafi, keni qenë edhe ju. Pra pyetja është se si e shpjegoni dhe mos vallë i keni duart e lidhura. E them këtë duke e ditur se si funksionon Rama.

Dumani– Unë i njëjti kam mbet nuk kam ndryshuar, nuk më rriten veshët as kur më komplimentojnë as kur më shajnë. Kush më njeh e dinë shumë mirë se çfarë përfaqësoj dhe e kanë ndjerë angazhimin tim si prokuror. Në këtë detyrë që më është besuar, përpiqem të bëj më të mirën. E thashë që në hapje të fjalës, nuk duhet personalizuar, puna dhe kritikat ju takojnë gjithë stafit që punojnë në atë institucion. A jemi ne për t’u kritikuar, patjetër, unë vetë kam kritika ndaj vetes etj. Por duhet velërësuar edhe kur ka vend për të vlerësuar. Se nuk the cili ishte perceptimi i publikut për besimin në SPAK? Pse nuk e the dhe këtë? Ne kemi marr përsipër të bëjmë detyrën! Referohu dhe raporteve të ndërkombëtarëve që vlerësojnë punën e SPAK, për të qenë sado pak i balancuar. Unë jam prokuror, drejtuesi është një funksion edhe një vit e gjysmë, dhe prapë prokuror. Politik nuk ka shans të jem, dhe në politikë nuk ka shans të më ndikojë kush mua në punën time dhe ju e dini shumë mirë.

Noka: Pyetja e dytë, ju i keni hapur proces ligjor kryetarit të PD dhe opozitës pa asnjë fakt dhe asnjë provë. Sot mbani të burgosur politik atë pa akuzë. Rast unik dhe i pabazuar në ligj. Sigurisht nisët një proces ndaj tij në shkelje të Kushtetutës. Gjithashtu keni hapur një proces ligjor ndaj Fatmir Mediut, një drejtues tjetër i opozitës, megjithëse çështja e tij është parashtruar. Proces kundër Ilir Metës, drejtues i një tjetër force opozitare. Mos vallë po përdoreni politikisht për ët luftuar opozitën ose keni një mision të detyruar nga kreu i këtij regjimi? E gjitha kjo perceptohet si luftë ndaj opozitës, ndërkohë që korrupsioni, vjedhja dhe krimi bëhen tjetër kund.

Dumani: Lidhur me çështjen e ish-kryeministrit, është çështje në hetim, çdo veprim është i kontrollueshëm, por mund të them këtë që drejtësia nuk mund të sfidohet. Dhe nuk jam peng i askujt. Sa i takon asaj që po përdorim proceset penale për të luftuar opozitën… (Ndërhyn Noka nga vendi). Na lini të mbarojmë…  I paskam duart e lidhura unë dhe… peng i ndonjërit këtu (i përgjigjet me ironi).

Noka: Pyetje tjetër, kryetari i opozitës mbahet sot i burgosur dhe ju i keni ndaluar të drejtën e komunikimit. A mund të thoni ku e bazoni në cilin ligj të shtetit shqiptar bazoheni ju pasi ligji që i referoheni është abroguar në vitin 2017? Ku e bazoni ju ligjërisht pengimin e kryetarit të PD për të marrë pjesë në funksionin e tij kushtetues të deputetit në parlament sepse në bazë të ligjeve të këtij vendi, një vendim i tillë bëhet kur ka vendim të formës së prerë të gjykatës?

Dumani: Unë nuk interpretoj vendime gjykate, është vendim gjykate.

Noka: Për dosjen Metamorfoza, keni njoftuar që dosja janë firmosur 51 urdhër-arreste në mos gaboj, të arrestuar janë 6 në mos gaboj dhe asnjë nuk është arrestuar tani, të gjithë janë arrestuar për çështje të tjerë. Kush e dekonspiroi këtë operacion, ju apo Policia e Shtetit? Ata e kanë mohuar duke thënë se vetëm shoqërojnë hetuesit e BKH-së. Kemi të drejtën të dyshojmë se ky operacion njësoj si Forca e Ligjit përdoret si presion ndaj grupeve elektorale për t’i shndërruar në shtabe elektorale për Rilindjen! Te Metamorfoza sheh një ish-deputet të PS, që ka qenë edhe te dosja 339 që është dosje e krimit elektoral, që organizon grup killerash për të vrarë një tjetër deputet të PS. Ky tjetri organizon grup vrasësish për ta vrarë atë. Kush i ligj gjithë këta? Mos vallë i lidh kryeministri dhe pushteti?

Dumani: Nuk e kuptoj si mundet e të shkosh kaq lart dhe të aludosh për prokurorët që janë marrë me hetimin kanë dekonspiruar çështjen? Po është mundi jonë, kemi punuar ditë natë… është shumë fyese dhe denigruese të aludosh për persona të cilët me mish e me thua janë përpjekur të hetojnë një çështje kaq delikate dhe me kaq personazhe… nuk është SPAK për të arrestuar! Unë flas me prova jo me të dëgjuar. Ti e ke me të dëgjuar ne ecim me prova.

Top Channel