“Mik i madh i Ukrainës”, Zelensky bisedë telefonike me Ramën: E falënderova për konfirmimin e pjesëmarrjes në Samitin e Paqes! Diskutuam mbi bashkëpunimin në mbrojtje

22/05/2024 17:13

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin Edi Rama.

Ndërsa e cilësoi një mik të madh të Ukrainës, Zelensky tha se e falenderoi Ramën për konfirmimin e pjesëmarrjes në Samitin e ardhshëm të Paqes.

Gjithashtu u diskutua mbi bashkëpunimin e vazhdueshëm të Shqipërisë dhe Ukrainës në fushën e mbrojtjes.

“Kam biseduar me kryeministrin shqiptar Edi Rama, një mik i madh i Ukrainës, për Samitin e ardhshëm të Paqes dhe e falënderova për konfirmimin që Shqipëria do të marrë pjesë. E informova kryeministrin Rama edhe për situatën e luftës, konkretisht për mbrojtjen e rajonit të Kharkiv. Ne diskutuam gjithashtu bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm në mbrojtje”, shkruan Zelensky.

Samiti i Paqes për Ukrainën do të mbahet në Zvicër më 15-16 qershor. Ky samit do të organizohet në përpjekje për të bashkuar liderët botërorë dhe për të gjetur mënyra me anë të së cilave mund të arrihet paqja afatgjatë në Ukrainë. Shqipëria mikpriti po ashtu gjatë këtij viti një samit të Evropës Juglindore për Ukrainën, ku i pranishëm ishte edhe vetë Presidenti Zelensky, që mori mbështetje për vazhdimin e ndihmës ushtarake dhe financiare.Vetë Shqipëria u zotua të bashkëprodhojë armë për Ukrainën.

Top Channel