U dhunua nga policët në SHBA për 13 minuta, studenti italian bërtiste dhe qante nga dhimbja! Video brutale trondit Italinë

06/05/2024 10:21

Një video e publikuar nga familja dhe avokatët e 25-vjeçarit italian Matteo Falcinelli ka shkaktuar tronditje në Itali.

Më 25 shkurt, Falcinelli vizitoi një klub ku tha se kishte pirë dy kokteje dhe kishte parë një strip shoë. Më pas, sipas avokatit të tij, ai kuptoi se dikush i kishte vjedhur dy celularët me një sërë informacionesh personale nga xhaketa. Pas tensionit me pronarët e dyqanit, Falcinelli doli në rrugë, ku po e priste policia. I irrituar, siç raporton shtypi italian, ai i kërkoi policisë amerikane që të merrte masa për të rimarrë celularët e tij, ku kishte edhe kodet e llogarisë bankare.

I riu është ulur nga policët me kokën në asfalt dhe gjuri i një polici i shtyp fytyrën, shkruan gazeta italiane La Repubblica. Menjëherë më pas, një oficer i sigurisë së dyqanit i ka dorëzuar një punonjësi policie celularët e studentin italian. 25-vjeçari italian u dërgua në komisariat, ku siç tregohet nga video e transmetuar nga disa media, është dhunuar rëndë. Policët i vunë duart në pranga dhe sipas mediave të huaja, abuzimi me të zgjati 13 minuta, ku i riu shprehej se kërkonte vetëm respektimin e të drejtave të tij dhe qante nga dhimbjet e tmerrshme.

Falcinelli u gjykua për rezistencë ndaj autoritetit policor dhe aktualisht është jashtë burgut pasi pranoi të kryente shërbimin e komunitetit për një periudhë të shkurtër kohe.

Nëna e tij tregoi se djali i saj, pas kësaj eksperience traumatike, ka tentuar të vriste veten katër herë dhe se më në fund ka arritur të durojë falë forcës së tij mendore, edhe për faktin se në të kaluarën ka qenë sportist profesionist. Familja e Matteo Falcinelli ka bërë të ditur se synon t’i drejtohet drejtësisë, të rivendosë të vërtetën dhe me synimin për të dënuar të gjithë përgjegjësit.

 

Top Channel