Shtohen narkomanët! Shqetësuese në Kosovë rritja e numrit të grave dhe të miturve që marrin drogë

06/05/2024 15:48

Numri i përdoruesve të drogës në Kosovë është rritur në tremujorin e parë të 2024-ës, krahasuar me të njëjtën periudhë vitin e kaluar.

Shqetësuese në numrat e këtij viti është edhe rritja e përdoruesve femrave dhe të miturve të moshës 10-11 vjeçar që konsumojnë substanca narkotike. Sidomos tek femrat, droga e njohur si kokainë po përhapet në masë sipas statistikave të Spitalit Universitar të Kosovës, ndërsa të miturit rrezikohen më së shumti nga marijuana.

Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë në QKUK, shprehet se reparti i sëmundjeve të varësisë është i mbingarkuar

“Në repart kemi nëntë shtretër të cilët janë në shërbim të personave që kërkojnë këto shërbime në klinikën tonë, dhe,,, në tre mujorin e parë diku rreth 35 persona kanë kërkuar ndihmë… Në çoftë se përpara kemi konstatuar që diku mosha kur fillohet me abuzimin me këto substanca ka qenë 14-15 vjeçar, tani është edhe shumë e ulët, kemi pasur raste 10-11 vjeçar”, shprehet Faton Kutllovci.

Neuropsikiatri nga Kosova Sami Rexhepi ka theksuar se marihuana, po e zgjon një kod gjenetik që është i fjetur duke sjellë edhe çrregullime psikotike.

“Më e keqja është fakti se shumë mosha të reja kanë filluar me e përdorë, diku 11-12 vjeçar… marihuana po e zgjon edhe një kod gjenetik që ndoshta është i fjetur dhe po manifestohet edhe çrregullimi psikotik, dhe kur të vjen deri te çrregullimi psikotik, atëherë nuk ka më kthim mbrapa, aty vetëm çka mundet pak me u funksionalizuar, por kurrë nuk mundet me u shëruar plotësisht… Përdorimi i drogave apo hyrja në varshmëri prej tyre nuk është një portë të cilën e hap dhe hynë, por thjesht rrëshqet aty dhe e kupton shumë më vonë se ke krijuar një varshmëri prej drogave”, tha Sami Rexhepi.

Sipas Policisë së Kosovës gjatë periudhës janar-mars të këtij viti janë arrestuar për substanca narkotike 159 persona, prej tyre 10 të mitur nga mosha 14-18 vjeç. Ndërsa gjatë vitit 2023 janë arrestuar 859 persona, ku prej tyre 74 kanë qenë të mitur.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA