Teksa kanë kaluar vetëm tri ditë, që nga zbulimi i trupave të pajetë të të moshuarve Kosta dhe Kleoniqi Ilia në Dropull, është arritur të zbulohet dinamika e ngjarjes.

Policia e Gjirokastrës në deklaratën e dhënë për mediat, njoftoi se autori është bashkëfshatari Thoma Mastora, 69 vjeç.

Ai është vënë në pranga si autori i vrasjes së dyfishtë në Bodrishtë, e cila ka ndodhur për motive të dobëta dhe konflikte të mëparshme mes 69-vjeçarit dhe Kosta Ilia.

Në kontrollet e kryera në banesën e tij u gjetën sasi municioni luftarak, një mjet prerës, dhe prova të tjera. Ndërkohë çifti i të moshuarve kishin në banesë 5 milionë lekë të reja.

Autori i ngjarjes

“Nga verifikimet paraprake, rezultoi se në brendësi të oborrit të banesës është gjetur i pajetë shtetasi Kosta Ilia 84 vjeç, lindur e banues ne Bodrishtë dhe në brendësi të banesës është gjetur e pajetë Kleoniqi Ilia 88 vjeçe, lindur e banuese në Bodrishtë. Nga kqyrja sipërfaqësore e trupit të shtetasit Kosta dhe Kleoniqi Ilia u konstatuan shenja dhune në pjesë të ndryshme të kokës dhe trupit.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, ambienteve të banesës dhe gjithë oborrit nuk u konstatuan shenja të vjedhjes apo të krijohej bindja se autorët mund të kishin ushtruar kontroll me qëllim gjetjen e vlerave monetare apo sende me vlerë që mund të posedoheshin nga viktimat.

Nga veprimet hetimore të kryera me ekspertët kriminalistë dhe mjeko- ligjorë u arrit në konkluzionin se viktimat ishin goditur me sende të forta dhe prerëse duke u shkaktuar vdekjen. Për thellimin e hetimit u fiksuan dhe u morën për egzaminime të mëtejshme sende dhe mjete të cilat dyshohej se kishin lidhje me rrethanat e ngjarjes dhe që egzaminimi i të cilave do të identifikonte autorin dhe dokumentonte me prova ligjore.

Gjithashtu nga kontrolli i ushtruar në banesë u arrit të gjendej, fiksohej dhe sekuestrohej me cilësinë e provës materiale përveç provave të tjera dhe një vlerë e konsiderueshme rreth 5 milion lekë të reja që çifti i të moshuarve kishte në banesë. Për sqarimin e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve u shoqëruan, u dhe pyetën për rrethanat e hetimit 35 shtetas.

Nga provat e siguruara rezulton se autori i këtij krimi dyshohet të jetë shtetasi Thoma Mastora 69 vjeç, banues në Bodrisht të bashkisë Dropull. Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale u bë ekzekutimi i urdhrit të Prokurorit të Prokurorisë Gjirokastër për ndalimin e 69-vjeçarit, i dënuar më parë për vjedhje.

Gjatë kontrollit të banesës së 69-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendin e dyshuar të krimit, një sasi municioni luftarak, një mjet prerës, dhe prova të tjera që janë dërguar për egzaminim në Institutin e Policisë Shkencore. Ndalimi i këtij shtetasi u bë për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese dhe mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”, njoftoi Policia e Gjirokastrës.

Top Channel