Prokuroria e Tiranës vlerëson se guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko duhet të hetohet për “shpërdorim detyre” nga SPAK, pasi dyshohet se mori masa të vonuara dhe të papërshtatshme për të frenuar skemën e dyshuar të mashtrimit ndaj mijëra qytetarëve nga shoqëria e mikrokredive MCA.
Në vitin 2016, Kristo Puleshi nuk e mori seriozisht kërkesën e zyrës Albanian Debt Collection Agency, ADCA, për të paguar një detyrim prej 58 mijë lekësh. Në shkresën që zyra ligjore i nisi për llogari të institucionit Micro Credit Albania, MCA, ai njoftohej se rezultonte dorëzanës i një kredie të marrë nga shoku i tij i fëmijërisë me vlerë 30 mijë lekë – kredi e cila ishte gati dyfishuar dhe pretendohej se nuk ishte shlyer asnjëherë.
Në një kallëzim të mëvonshëm në Prokurori, Puleshi tha se i injoroi shkresat, mesazhet dhe telefonatat për gjashtë vjet me radhë, pasi nuk kishte lidhje me kredinë dhe atësia në njoftime nuk përkonte me emrin e babait të tij.
Por në tetor 2022, ai mori një mesazh që nuk mund ta injoronte: apartamenti i tij në rrugën « Myslym Shyri » në Tiranë, ku banonte me bashkëshorten dhe dy fëmijët, ishte vendosur nën sekuestro.
Dokumentet e një hetimi të kryer nga Prokuroria e Tiranës, të cilat BIRN i disponon, tregojnë se Puleshi dhe miku i tij i fëmijërisë u përpoqën që të hetonin vetë se çfarë kishte ndodhur dhe pasi nuk gjetën zgjidhje, iu drejtuan me një kallëzim organit të akuzës në kryeqytet.
Përpara hetuesve, ata deklaruan se nuk kanë marrë ndonjëherë kredi dhe se procedurat përmbarimore ishin kryer në shkelje të ligjeve. Një akt ekspertimi i kaligrafisë në kontratën e kredisë doli gjithashtu në përfundimin se firmat e tyre ishin falsifikuar.
Kristo Puleshi raportohet se është vetëm një nga mijëra viktimat e një skeme të dyshuar abuzimi me mikrokreditë që vazhdon prej të paktën 9 vitesh në Shqipëri. Një hetim administrativ i kryer nga Ministria e Drejtësisë në vitin 2020 zbuloi se rreth 17 mijë individë ishin dëmtuar me penalitete të padrejta, sekuestrim pronash si dhe shkelje të procedurave përmbarimore.
Sipas raportit të Ministrisë së Drejtësisë, në skemën e mbledhjes së detyrimeve ishte përfshirë shoqëria Micro Credit Albania si dhe një grup zyrash private të përmbarimit, noterë dhe shoqëri të tjera të lidhura me të.
Ndërkohë, një hetim i kryer nga Prokuroria e Tiranës vlerëson se përgjegjësitë mund të shtrihen deri te Banka e Shqipërisë dhe guvernatori i saj, Gent Sejko.
Përmes një vendimi të 17 prillit, Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencën dhe i kërkoi Prokurorisë së Posaçme, SPAK, që të kryente hetime të mëtejshme ndaj guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për veprën e “shpërdorimit të detyrës” dhe shoqërisë MCA veprat e mashtrimit, fshehjes së të ardhurave dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.
“Veprimtaria e MCA shpk rezulton që në mënyrë të vazhdueshme ka penalizuar interesat e ligjshme të individëve kredimarrës, e cila ka qenë në bashkëpunim me përmbaruesit gjyqësorë si dhe lindin dyshime se mund të ketë pasur bashkëpunim edhe me punonjës të Bankës së Shqipërisë,” thuhet në vendim e shpalljes së moskompetencës.
E pyetur nga BIRN për referimin e guvernatorit Sejko në SPAK, Banka e Shqipërisë tha përmes një zëdhënësi se nuk kishte marrë asnjë njoftim zyrtar.
“Nëse do të kemi komunikim zyrtar prej çdo organi procedimi penal, Banka e Shqipërisë do të jetë në dispozicion për të dhënë sqarimet dhe informacionet e duhura,” tha BSH.
Shoqëria “Micro Credit Albania” i mohoi akuzat për mashtrimin dhe penalizimin e kredimarrësve, ndërsa këmbënguli se e kishte bazuar aktivitetin e saj në ligjshmërinë e përcaktuar në akte, kontrata dhe vendime gjyqësore.
“Nuk ka dhe nuk mund të ketë përgjegjësi penale kur ekziston vendimi i gjykatës ; subjekti që vendimi i gjykatës e konsideron ‘kreditor të një detyrimi’ nuk mashtron duke u shfaqur si ‘kreditor’, sepse një titull të tillë ia jep vendimi i gjykatës, ndërsa subjekti që vendimi i gjykatës e certifikon si ‘debitor’ nuk mund të marrë pozitën e ‘një viktime të veprës penale’ sado kallëzime të nënshkruajë/ depozitojë në Prokurori,” pretendoi MCA.
Biznesi i kredive të këqija
Micro Credit Albania u themelua në maj të vitit 2014 nga ortakja e vetme, Elda Ibro, një kontabiliste në profesion, dhe u licensua më pas nga Banka e Shqipërisë për kryerjen e aktivitetit të mikrokredisë. MCA operoi më pas edhe në tregun e blerjes dhe ekzekutimit të kredive me probleme nga institucione të tjera bankare dhe jobankare.
Pas ankesave të shumta të qytetarëve, Departamenti i Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë nisi në korrik të vitit 2020 një ekzaminim tematik për shoqërinë MCA, ku të katër elementët e vlerësimit dolën në nivelin më të lartë të rrezikshmërisë të klasifikuar në kategorinë 4.
Sipas raportit të Departamentit të Mbikëqyrjes, subjekti MCA operonte në bashkëpunim me shoqërinë e licensuar në fushën e kredisë, Final, zyrën ligjore ADCA dhe shërbimet përmbarimore ZIG, Flash dhe Star.
Grupi i inspektorëve gjeti gjithashtu se në 5 vite të operimit, MCA nuk kishte depozituar asnjëherë pasqyra financiare të audituara, ndërsa dy shoqëri auditimi ndërkombëtare kishin refuzuar të jepnin opinion. Deri në korrik të vitit 2020, MCA kishte blerë 85 milionë euro kredi të pashlyera nga dhjetë institucione të ndryshme banka dhe jo banka, duke paguar vetëm 2-3% të vlerës së tyre dhe më pas kosto e blerjes është rritur në 10 dhe 20% vitet në vijim.
Sipas raportit, MCA kishte paguar rreth 5.2 milionë euro për portofolin e kredive prej 85 milionë euro dhe kishte rikuperuar nga kredimarrësit rreth 10.7 milionë euro, duke siguruar një fitim operativ dy herë më të lartë.
Grupi i inspektorëve gjeti gjithashtu se MCA ndoqi një strategji të mbledhjes së plotë të detyrimeve, pa ofruar zbritje, ndërsa vendosi për paketat e ristrukturimit të kredive të këqija « norma penaliteti shumë të larta 2% në ditë ose 730% në vit».
Hetimet e kryera nga Prokuroria e Tiranës dhe një hetim administrativ i Ministrisë së Drejtësisë hedhin edhe më tej dritë mbi natyrën e biznesit që ndiqte MCA, përmes shtrëngimit të kushteve për të dhënë kredi. Pasi blinte kreditë e këqija deri në 10% të vlerës së tyre, MCA kërkonte kthimin në masën 100%, duke vendosur edhe penalitete, kamata dhe tarifa përmbarimore. Të gjendur ngushtë, kreditorëve që u ishin bllokuar pronat, detyroheshin të firmosnin kontrata kredie me norma interesi deri në 25%.
Pas gjetjeve të Departamentit të Mbikëqyrjes në vitin 2020, Banka e Shqipërisë ndryshoi rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe hipotekore”, duke përcaktuar që masa e penaliteteve të mos kalonte 30% të detyrimit kontraktor. Por edhe pas këtij vendimi dhe rekomandimeve të lëna për shoqërinë MCA, shkeljet vazhduan.
Dyshimet për rolin e guvernatorit
Një punonjës policie duke hapur derën e Prokurorisë së Posaçme, SPAK. Foto: LSA
Më 29 dhjetor 2022, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko vendosi të pezullojë licensën e subjektit financiar jo-bankë ‘Micro Credit Albania’ për kredidhënien, por i lejoi asaj që të vazhdonte aktivitetin e mbledhjes së detyrimeve për portofolet e kredive të blera.
Megjithatë, Prokuroria e Tiranës vlerëson se ky vendim ishte jo vetëm i vonuar, por edhe papërshtatshëm në raport me shkeljet e konstatuara.
Hetimi ngre gjithashtu dyshime se masa e pezullimit u parapri nga një korrespondencë mes shoqërisë MCA dhe Bankës së Shqipërisë. Më 14 dhjetor 2022, ortaku i subjektit Micro Credit Albania i është drejtuar Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë me një mesazh elektronik, ku parashtrohen përpjekjet e kryera për realizimin e rekomandimeve, si dhe kërkohet që të merren në konsideratë masa alternative, të tilla që të mos bllokojnë tërësisht aktivitetin e subjektit.
“Masa e marrë nuk është në raport me shkeljet e konstatura nga vetë specialistët e Bankës së Shqipërisë dhe shkeljet e kryera në mënyrë të përsëritur janë të një karakteri tepër të rëndë. Vazhdimësia e aktivitetit të këtij institucioni financiar me problematika dhe shkelje të përsëritura është me pasoja tepër të mëdha financiare në dëm të qytetarëve,“ thuhet në vendimin e Prokurorisë së Tiranës.
Prokuroria vlerëson gjithashtu se edhe pse ishte e njohur prej dy vitesh me problematikat e shkaktuara nga MCA, Banka e Shqipërisë nuk kishte marrë më parë asnjë hap konkret për të frenuar dhe monitoruar blerjen e kredive tek subjektet e tjera.
E pyetur në Prokurori, një punonjëse e Bankës së Shqipërisë e justifikoi tolerimin në pezullimin e fundit të MCA me rrezikun e pasojave. Sipas dokumentit, ajo deklaroi se nuk mund të merrej një masë radikale, pasi rrezikonin që subjekti të ndërpriste deklarimin në regjistrin e kredive, në kohën që “kishte ende 20 mijë kontrata kredie në administrim“.
Gjithsesi, Prokuroria e Tiranës vlerëson se Banka e Shqipërisë nuk disponon të dhëna të sakta se sa është numri i kredive të blera nga MCA dhe se veprimtaria e kësaj të fundit ishte pothuajse jashtë monitorimit. Ajo ka ngritur gjithashtu dyshime se shoqëria e mikrokredive u favorizua që në fazat e para të licensimit në vitet 2015-2016.
Banka e Shqipërisë miratoi në mars të vitit 2016 një rregullore që mundësonte shitjen e kredive të këqija të bankave, por sipas hetimit, MCA dyshohet se e kryente më përpara këtë aktivitet. Në maj të vitit 2016, ajo u pajis me një licensë të re, çka sipas Prokurorisë ngre dyshime se infrastruktura ligjore u përshtat “në funksion të aktivitetit të kësaj shoqërie“.
Punonjësit e Bankës Qendrore pretenduan para prokurorëve se ndryshimi i rregullores u bazua në “Planin e masave për kreditë me probleme“, i hartuar nga një Grupi ndërinstitucional i koordinuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, i ngritur me urdhër të Kryeministrit në qershor të vitit 2015.
Bazuar mbi këto të dhëna, Prokuroria e Tiranës vlerësoi se rezulton e nevojshme “të hetohen zyrtarë të lartë si guvernatori i Bankës së Shqipërisë për veprën penale shpërdorimi i detyrës“, kompetencë kjo e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Për shoqërinë MCA me administratore Elda Ibro, Prokuroria vlerëson se nevojiten hetime për veprat penale të mashtrimit, fshehjes së të ardhurave dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, të dyshuara këto si të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
I pyetur nga BIRN nëse i kishte marrë apo vlerësuar aktet e dërguara nga Prokuroria e Tiranës, SPAK tha përmes një zëdhënëseje se, nuk ka asnjë përgjigje apo koment për të komunikuar”.
Rrjeti i mikrokredive
Dokumente të siguruara nga BIRN nga Ministria e Drejtësisë, Banka e Shqipërisë dhe Prokuroria e Tiranës tregojnë se skema e dyshuar kishte në qendër pronaren e MCA, Elda Ibro dhe bashkëshortin e saj, Olsi Ibro që drejtonte studion ligjore, ADCA.
Gjithashtu, Micro Credit Albania ndërvepronte me institucioni jo-bankar Final dhe zyrat përmbarimore Zig, Flash dhe Star me pronarë një grup personash të lidhur me njëri-tjetrin.
Pas pezullimit të licencës në dhënien e kredive, MCA ka nisur të punojë në një tjetër drejtim, atë marrjes së pronave të patundshme të debitorëve. Prokuroria konstaton se disa përmbarues kanë dhënë vulën me qira pranë shoqërisë MCA, ndërsa kjo e fundit ka kontraktuar ekspertë vlerësues për të ulur vlerën e pasurive.
Miliona euro në llogaritë e Ibros
Prokuroria e Tiranës dyshon se pronarja e shoqërisë MCA është larguar jashtë Shqipërisë, por një pjesë e fitimeve të saj ndodhen në Shqipëri. Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se Elda Ibro zotëronte likujditete banke në vlerën e 1.1 milionë eurove dhe 224 milionë lekëve [2.2 miilion euro] në një bankë të nivelit të dytë. Në një bankë tjetër të nivelit të dytë, ajo zotëronte llogari me vlerë 60 milionë lekë, të cilat ia kishte kaluar pronarit të kompanive përmbarimore të angazhuar në mbledhjen e kredive të këqija.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, vlera të tilla janë shumë herë më të mëdha sesa dividenti prej 141.6 milionë lekësh [1.4 milion euro] që kjo shoqëri kishte shpërndarë si fitim. Nisur nga këto mospërputhje, hetuesit e Tiranës thonë se i kanë kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve që të kryejnë një kontroll të thelluar për shoqërinë MCA – në mënyrë që të kenë mundësi që të bëjnë një analizë mes të ardhurave dhe shpenzimeve të saj.
Prokuroria ka administruar dy shkresa të nisura guvernatorit Sejko nga ministri i Drejtësisë dhe Dhoma e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë për ta vënë në dijeni me çfarë po ndodhte, por Banka Qëndrore i ka trajtuar këto probleme si të natyrës juridike -civile dhe pse të njëjtat gjetje ishin konstatuar nga inspektimet e bëra nga vetë Banka e Shqipërisë, thotë prokuroria.
“Konstatime për dyshime të veprimtarisë së paligjshme, Bankës së Shqipërisë i kanë shkuar dhe nga banka të nivelit të dytë, materiale që administrohen në këtë fshikull hetimor,“ thuhet në relacion.
Prokuroria ka konstatuar dhe një numër përmbaruesish privatë që kanë shkelur rregullat dhe kanë bashkëpunuar me subjektin MCA, ndërsa ka konstatuar se veprimtaria e monitorimit të shërbimit përmbarimor nga Ministria e Drejtësisë nuk është disiplinuar.
Sipas hetimit, nuk disponohen kopje të urdhrave të ekzekutimit, konfirmime për pagesën e tarifës si dhe nuk është ndërmarrë asnjë iniciativë për të bashkërenduar punën me organet tatimore.
Shoqëria MCA i tha BIRN në përgjigjen me shkrim se gjatë 9 viteve të aktivitetit të saj nuk ka marrë në posedim asnjë pasuri apo send të paluajtshëm të debitorëve, por pretendoi se ishte përfshirë pa vullnetin e saj “në një luftë të brendshme brenda llojit“ mes përmbaruesve që e kishin dëmtuar atë.
„..në çdo rast, debitorit nuk i tjetërsohen pasuritë e patundshme sepse asnjë debitor nuk është nxjerrë nga shtëpia e tij, por i ndalohet nëpërmjet vënies së sekuestros konservative që ta shesë dhe t’i shmanget shlyerjes së detyrimit,“ tha MCA.
Pavarësisht falsifikimit të firmës dhe kallëzimit në Prokurori, njëri prej viktimave deklaroi në Prokurori se vazhdoi të përndiqej për vite me radhë për kredinë që nuk e kishte marrë asnjëherë.
“Edhe sot që kanë kaluar 17 vjet nga koha e marrjes… nga përmbaruesi vijnë mesazhe në telefonin tim me tekst; Detyrimi juaj i kredisë ende nuk është shlyer,“ dëshmoi ai./ BIRN
Top Channel