Arrestim i papritur dhe skandal korrupsioni… A po përçahet rrethi i ngushtë i Putinit?

03/05/2024 16:21

Një skandal korrupsioni i përqendruar në akuzat kundër zëvendësministrit rus të Mbrojtjes ka shkaktuar habi dhe spekulime nga vëzhgues të afërt të elitës së Rusisë.

Komiteti Hetues i Rusisë së fundmi ka njoftuar për arrestimin e Timur Ivanov, aleatit të ngushtë të Ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, nën dyshime për marrje ryshfeti.

Bëhet e ditur se ai do të qëndrojë në paraburgim të paktën deri në qershor dhe nën akuzat “për marrje ryshfeti në shkallë të madhe” mund të përballet me 15 vjet burg, shkruan yahoonews.

Në lidhje me rastin janë arrestuar edhe disa persona të tjerë, duke përfshirë biznesmenin Alexander Fomin.

Ky rast vjen pas viteve punë nga Fondacioni Kundër Korrupsionit i liderit të ndjerë opozitar, Alexei Navalny.

Hetimi ka bërë që të ngriten spekulime të ndryshme pasi Ivanov mund të përballet me akuza për tradhti shtetërore.

Shumë vëzhgues pajtohen se problemet ligjore të zëvendësministrit mund të lënë të nënkuptohet për një të ardhme të pasigurt të shefit të tij, Shoigu. E dënimi i tij mund të tregojë përçarje midis “klaneve” të elitës ruse.

Pozicioni i Shoigu si Ministër i Mbrojtjes ishte në rrezik edhe në fund të vitit 2022, pas disa kundërofensivave të suksesshme ukrainase.

Dështimet gjatë asaj kohe shkaktuan kritika edhe nga kreu i Wagner, Yevgeny Prigozhin. Por, pas vdekjes së tij, revolta ishte jetëshkurtër dhe Shoigu vazhdoi të jetë pjesë e ushtrisë ruse.

Deri më tani, ministri ka heshtur për skandalin, por ai zyrtarisht e shkarkoi Ivanovin një ditë pasi arrestimit të tij.

Putin së shpejti do të pranojë mandatin e pestë presidencial kur edhe do të riorganizojë qeverinë, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon.

Por, skandalet ruse thuhet të jenë shenjë se edhe lufta në Ukrainë nuk po shkon sipas planit.

Top Channel