Aborti selektiv me baza gjinore, në Shqipëri për 107.4 djem ka 104 vajza. Rrëfimi i gruas nga Korça: Isha e lumtur kur pashë ekon që ishte gocë, por…

30/04/2024 13:45

Sipas traditës në Shqipëri, është djali ai që mban mbiemrin dhe kujdeset për prindërit në pleqëri, kështu që kur një nënë e tre vajzave në fshatin Korçë mësoi pesë vjet më parë se priste një vajzë të katërt, ajo e dinte se kjo s’do të shkonte aspak mirë.

“Pashë në ekografi se ishte vajzë. Isha shumë e lumtur, – tha gruaja, – por ky nuk ishte një lajm aq i lumtur për burrin, vjehrrën apo vjehrrin tim.”

Gruaja, tashmë 35-vjeçare, përfundoi duke kryer abort.

Aborti selektiv me bazë gjinore nuk është i pazakontë në Shqipëri dhe pjesë të tjera të Ballkanit, i nxitur nga normat patriarkale që i konsiderojnë pasardhësit meshkuj më të dëshirueshëm, si dhe nga përqindjet e konsiderueshme të emigrimit, veçanërisht nga meshkujt.

Sipas Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, në shoqëritë ku praktikohet aborti selektiv me bazë gjinore, janë shfaqur pabarazi në raportin gjinor; ato përfshijnë Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.

Në vitin 2023, Shqipëria regjistroi një raport prej 107.4 djem për 100 vajza, ndërsa një dekadë më parë disa pjesë të vendit raportonin koeficientë deri në 111.7, shumë përtej asaj që thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë se mund të pritet – 103 deri në 107 djem për çdo 100 vajza.

“Vlerësimet e fundit sugjerojnë se ka pasur 8,000 lindje femrash të humbura për shkak të përzgjedhjes së seksit para lindjes në Armeni, Azerbajxhan, Gjeorgji, Shqipëri dhe Mal të Zi vetëm nga 2013-2017”, tha UNFPA në një raport të vitit 2020.

Në vitin 2017, një investigim i BIRN zbuloi një treg ilegal në lulëzim për testet gjenetike për të përcaktuar seksin e fetusit në Mal të Zi, i nxitur nga një preferencë shoqërore për djemtë.

Në Shqipëri, shifrat tregojnë një tendencë pozitive, por çekuilibri mbetet; në raportin e UNFPA-së Shqipëria renditet ndër 15 vendet e para në botë për preferencën ndaj djemve.

Sipas një sondazhi online të kryer në Shqipëri dhe Bosnje dhe Hercegovinë nga Elbasanion dhe Fokus.ba përkatësisht, ndërgjegjësimi i publikut për fenomenin e abortit selektiv me bazë gjinore është i lartë, por edhe stigma që e rrethon atë.

“Po, për fat të keq, jam në dijeni të një rasti të tillë”, tha një i anketuar për Fokus.ba.

“Ishte një grua nga një zonë rurale, e cila iu nënshtrua presionit nga partneri i saj për të kryer një abort, sepse ai preferonte të mos kishte një vajzë. Ata e kishin tashmë një vajzë, të cilën si mezi e kishte pranuar.”

“Çështje brezash”

Foto ilustruese.

UNFPA thotë se aborti selektiv i fetuseve femra “nuk është vetëm arkaik, por edhe i dëmshëm për rritjen sociale dhe ekonomike”.

Në Bosnje, ku raporti i gjinive është brenda kufijve të pritur nga OBSH-ja, afërsisht gjysma e të anketuarve në sondazhin e Fokus.ba thanë se e kuptonin konceptin dhe nëntë për qind raportuan njohuri për raste specifike.

Megjithatë, në Shqipëri, 72 për qind e të anketuarve e njihnin praktikën e abortit elektiv me bazë gjinore dhe një e katërta pretendonin se kishin njohuri për raste të veçanta.

“Është çështje brezash”, tha Manuela Bello, shefe e zyrës së UNFPA-së në Shqipëri.

“Sot raporti është 107.4 djem të lindur për 100 vajza, që do të thotë se kemi ende një hendek midis djemve dhe vajzave në Shqipëri.

Rubena Moisiu, profesoreshë e obstetrikës dhe gjinekologjisë në Tiranë, u pajtua, duke thënë se nëse tejkalohet gjinia natyrale, “atëherë ka arsye që lidhen me abortin selektiv”.

Eksperti i demografisë Arjan Gjonça tha se fenomeni nuk kufizohej vetëm në zonat rurale apo te më pak të arsimuarit; edhe gratë e arsimuara dihet se abortojnë fetuset femra për shkak të presioneve patriarkale dhe faktorëve ekonomikë, tha ai.

“Përgjithësisht, sipas studimeve, abortet nuk vijnë vetëm nga seksionet e cenueshme apo zonat rurale”, tha Gjonca.

Olgert Alla, kreu i Spitalit Obstetriko-Gjinekologjik në Elbasan, vuri në dukje përmirësime gjatë dekadës së fundit, por pranoi se teknikat e hershme të identifikimit gjinor kishin lehtësuar praktikat e abortit selektiv.

“Kur fillova punë 10 vjet më parë, vinin çifte që kryenin abort për shkak të gjinisë së fëmijës. Çiftet që kishin dy ose tre vajza ishin të prirur për të ndërprerë shtatzëninë, nëse prisnin sërish një vajzë”, tha ai, duke shtuar megjithatë se kohët e fundit ka pasur një rënie të rasteve të tilla.

Të dhëna të diskutueshme

Foto ilustruese: Unsplash/Jon Tyson.

Në Bosnje në vitin 2022, Agjencia e Statistikave raportoi 105 djem të lindur për çdo 100 vajza, megjithëse norma luhatet nga viti në vit.

Në Bosnje, ka mungesë të të dhënave të besueshme për ndërprerjet e shtatzënisë, pavarësisht nga kërkesa që të gjitha organet shëndetësore publike dhe private të mbajnë të dhëna të tilla dhe t’i raportojnë ato tek autoritetet përkatëse.

Në dy entitetet e vendit – Federata dhe Republika Srpska – institutet përkatëse të shëndetit publik posedojnë disa të dhëna, por saktësia e tyre është e diskutueshme. Institutit të Federatës, për shembull, i mungojnë raportet për tre nga 10 kantonet e Federatës.

Sipas bazës së të dhënave të RegiZ, ku të gjitha organet shëndetësore supozohet të dorëzojnë të dhëna për abortet e kryera, në Federatë janë ndërprerë 2,406 shtatzëni midis viteve 2019 dhe 2023, përfshirë 730 vetëm në vitin 2022.

Shifra reale, megjithatë, ka të ngjarë të jetë më e lartë, ndoshta edhe dyfish. Për shembull, sipas Institutit të Federatës për Shëndetin Publik, 512 shtatzëni u ndërprenë në Kantonin e Sarajevës midis janarit 2019 dhe fundit të vitit 2022, megjithatë Instituti i Shëndetit Publik të kantonit jep një shifër prej 1,089.

Në Republikën Srpska, Instituti i Shëndetit Publik thotë se 1,343 shtatzëni u ndërprenë në vitin 2022, në përputhje me vitet e tjera. Dyshimet vazhdojnë, megjithatë, mbi besueshmërinë e shifrave të tij.

Në një analizë të vitit 2019, ekspertët e Grupit Serb të Nismës për Zhvillimin SeConS në bashkëpunim me UNFPA shkruan se ndërsa shkalla zyrtare e abortit në Bosnje është në të njëjtin nivel me mesataren e BE-së, “cilësia e statistikave shëndetësore është e diskutueshme pasi ekziston një supozimi se shumica e aborteve kryhen në klinika private dhe nuk raportohen në institucionet qeveritare duke e bërë Bosnjën dhe Hercegovinën më të prirur për përdorimin e abortit si mjet për planifikimin familjar”.

Asnjë nga profesionistët mjekësorë të intervistuar nga Fokus.ba nuk raportoi pacientë që kërkonin abort bazuar vetëm në preferencën e gjinisë së fetusit.

Megjithatë, në Bosnje, 42.3 për qind e grave marrin vendimin e vetëm për të ndërprerë shtatzëninë, sipas një studimi të vitit 2023 nga Sarajevo Open Centre./ reporter.al

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA