Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të hënën se ka thirrur për intervistim ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të Kosovës (MINT), Rozeta Hajdari, e cila dyshohet për keqpërdorimin e detyrës zyrtare në lidhje me rezervat shtetërore.
Megjithatë, Prokuroria tha Hajdari e ka mbrojtur veten në heshtje në paraqitjen e saj si e pandehur para prokurorëve.
“Mirëpo, e njëjta sot nuk është deklaruar, dhe siç e parasheh Kodi i Procedurës Penale ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje”, tha Prokuroria.
Verën e kaluar u arrestuan tre persona, dy prej të cilëve pjesëtarë të Ministrisë së Hajdarit, si të dyshuar për keqpërdorimin e rezervave shtetërore.
Në atë kohë, Prokuroria kishte bastisur edhe zyrtarët e MINT-it dhe kishte konfiskuar prova materiale në lidhje me dyshimet për keqpërdorimin e rezervave shtetërore.
Hajdari kishte thënë asokohe se dokumentet e konfiskuara si prova në Ministri ishin të klasifikuara si sekrete shtetërore dhe i kishte hedhur poshtë thirrjet për dorëheqje.
Bastisjet dhe arrestimet në MINT ndodhën pas publikimeve të disa audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku zyrtarët e kësaj ministrie pretendojnë se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk mbërriti kurrë. Sipas audio-incizimeve e njëjta gjë ka ndodhur edhe me rezervat e grurit./ REL
Top Channel