Zyrtarët mbyllin rrugën për gjashtë muaj për të lejuar ‘kalimin e thithëlopave’në Britani (fotot)

12/02/2024 16:33

Një rrugë në Bath në perëndim Anglisë po mbyllet nga zyrtarët për gjashtë muaj, sipas tyre për të ndihmuar që amfibët vendas të mbërrijnë në terrenet e tyre të shumimit.

Ata thanë se rruga Charlcombe Lane do të mbyllet për makinat deri më 25 mars, për të lejuar kalimin e bretkosave, thithëlopave, iriqëve dhe kafshëve të tjera të vogla, drejt terreneve të tyre të vjetra ujore të shumimit.

Mjaft zëra kritikë janë ngritur kundër vendimit të autoriteteve duke e quajtur të ekzagjeruar kohën dhe masën e ndalimit të qarkullimit.

Por zyrtarët thonë se duhet të ndihmojnë që rreth 2,500 amfibë të kalojnë rrugën drejt liqenit më poshtë, ku ato çiftohen e riprodhohen.

Thithëlopat e bëjnë këtë rrugëtim pas muzgut nga shkurti deri në mars, por kalimi rrugës ka rezultuar shpesh i rrezikshëm për to.

Mijëra amfibë vriten çdo vit nga kalime të tilla, teksa një tjetër rrugë rurale në rajonin Lincolnshire është mbyllur për të njëjtën arsye.

Në rrugë të tilla shihen shpesh çifte bretkosash të vrara nga makinat, teksa mashkulli udhëton në kurrizin e femrës.

Thithëlopat janë të njohura për emigrimet e tyre drejt pellgjeve të shumimit gjatë mbrëmjeve të lagështa të dimrit.

Zyrtarët thonë se ato gjenden kudo në Britani përveç ishujve skocezë, Irlandës së Veriut dhe disa ishujve të tjerë të vendit.

FOTO GALERI
2/3
Mjaft zëra kritikë janë ngritur kundër vendimit të autoriteteve duke e quajtur të ekzagjeruar kohën dhe masën e ndalimit të qarkullimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA