Berisha, pjesë e protestës së 20 shkurtit? Gazetari: Bashkim mekanik i demokratëve para zgjedhjeve, njerëzit e Bardhit do të përfshihen në strukturat e PD-së

12/02/2024 21:24

Gazetari Juxhin Mustafaraj, në një lidhje direkte për “Top Story” nga selia e PD-së, raportoi se bashkimi i “Rithemelimit” dhe grupit të Gazment Bardhit, është një bashkim mekanik në funksion të zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm.

“Është një bashkim mekanik që lidhet me zgjedhjet e vitit të ardhshëm, kur PS ka nisur përgatitjet dhe është shumë hapa para. Kjo është një nga arsyet që e ka nxitur këtë bashkim. Do të nisë një tur i deputetëve në degët e partisë në rrethe, që ky bashkim të përafrohet edhe midis militantëve”, raportoi ai.

Duke theksuar se kryefjala e mbledhjeve të sotme ishte protesta e 20 shkurtit, gazetari raportoi individët që deri më sot kanë mbështetur Bardhin, do të përfshihen në strukturat e PD-së.

“Do të ketë një përfshirje të të gjithë deputetëve, më pas do të vazhdojë në strukturat e Partisë Demokratike. Të gjithë deputetët mbështetës të Bardhit do të përfshihen në departamentet e tyre në selinë e PD. Do të ketë hapësirë Gjekmarkaj dhe Salianji”.

Mustafaraj foli edhe për zërat se Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie, mund të bëhet pjesë e protestës së 20 shkurtit.

“Ka pasur zëra që Berisha t’i bashkohet protestës, por deputetë të tjerë kanë menduar se një vendim i tillë do të rëndonte pozitat penale të Berishës”, tha gazetari për “Top Story”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA