Pak orë përpara se presidenti francez të mërkurën në mbrëmje të komunikonte në televizion ashpërsimin e ligjit të migracionit, Emmanuel Macron, priti në pallatin Élysée, kryetarin e opozitës nga Gjermania, kristiandemokratin Friedrich Merz.

Macron dhe Merz biseduan gjatë takimit të tyre të parë me njëri-tjetrin edhe për çështje të migracionit. Kjo temë ndërkohë është në fokus jo vetëm për shkak të kompromisit për azilin në BE, por edhe, sepse qeveria franceze sapo e ka ashpërsuar politikën e saj të migracionit.

Të martën kampi qeveritar votoi në Asamblenë Kombëtare edhe me votat e së djathtës ekstreme Rassemblement National (RN) pas bisedimeve të vështira me opozitën për një ligj më të ashpër migracioni. Kryetarja e RN, Marine Le Pen, e konsideron këtë si një “fitore ideologjike” dhe rreh gjoksin: “Deputetët e Macronit nuk mund të na akuzojnë më ne, se duam që prioritet të jenë  francezët. Ata tani e kanë vendosur vet këtë.”

Friedrich Merz, CDU refuzon bashkëpunimin me partinë populiste të djathtë, AfD - Merz para pemës së krishtlindjeve
Friedrich Merz, CDU refuzon bashkëpunimin me partinë populiste të djathtë, AfDFotografi: Jörg Carstensen/dpa/picture alliance

Pason Gjermania me modelin e Francës?

Ligjin e migracionit, që presidenti ia ka kaluar për shqyrtim këshillit kushtetues, nuk donte ta komentonte në Paris kreu i opozitës, por në partinë e tij Merz angazhohet megjithatë për një politikë më të rreptë migracioni. Presidiumi ka marrë tashmë një vendim përkatës. Që Franca tani po ashpërson për një kategori të caktuar të të huajve akesin tek ndihmat sociale duke përcaktuar edhe pritje për një kohë më të gjatë për të fituar të drejtën për ndihma sociale, ndjek një logjikë të ngjashme. I pyetur në Paris lidhur me qendrimin e partisë së tij ndaj partisë së djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), Merz përsëriti refrenin e tij, se e përjashton bashkëpunimin me këtë parti.

Në Francë ndërkohë pas votimit parlamentar po zien debati, se sa fort mund ta përcaktojë tani e djathta ekstreme politikën qeveritare. Paraardhësi i Macronit, François Hollande, e kritikoi kompromisin në një intervistë për gazetën Le Monde: “Edhe sikur presidenti Macron dhe qeveria të mos kishin marrë votat e Rassemblement National, fakti tregon se ata kanë marrë idetë e kësaj partie.” Presidenti Macron nga ana e tij në televizion e mbrojti kursin e ndjekur nga qeveria: “Ligji nuk i tradhëton vlerat tona”, tha Macron, i cili më 2022 u rizgjodh me premtimin, se do të ndalë forcimin e së djathtës ektreme. Por për të penguar, që RN të vijë në pushtet, “neve na duhet të zgjidhim problemet, që i krijojnë asaj terrren për t’u forcuar”.

Europa sheh djathtas

Një politikë e ashpërsuar migracioni është temë në shumë kryeqytete të Europës. Kryeministri britanik, Rishi Sunak lidhur me këtë çështje ndodhet tani nën presion, sepse pavarësisht Brexitit, në vend nuk është ulur imigracioni.

Ndërkohë që në shumë kryeqytete ende po punohet për konceptet politike, shtetet nordike i kanë ashpërsuar ligjet e tyre. Në Danimarkë kryeministrja socialdemokrate Mette Frederiksen qëkurse ka marrë detyrën më 2015 po ndjek një kurs restriktiv migracioni. Bashkimi i familjeve është vështirësuar dhe azilkërkuesve gjithnjë e më shumë po u jepen ndihma në mall dhe jo me para në dorë. Një rregullore e cilësuar si “ligji i getos” parashikon, që në një lagje qyteti të mos lejohet të banojnë më shumë se 30 përqind “të huaj jo-perëndimorë”.

Kryeministrja socialdemokrate e Danimarkës, Mette Feriksen, duke folur në konferencë shtypi në Bruksel
Kryeministrja socialdemokrate e Danimarkës, Mette FeriksenFotografi: John Thys/AFP/Getty Images

Partia Popullore e djathtë në Danimarkë, në zgjedhjet parlamentare 2015 kishte 21 përqind të votave, ndërsa në zgjedhjet e fundit 2021 ajo ra në kuotën e 2,6 përqind. Edhe në Suedi e Finlandë është ashpërsuar ndjeshëm politika e migracionit, pasi populistët e djathtë në Finlandë u bënë pjesë e qeverisë, ndërsa në Suedi qeveria e pakicës tolerohet nga e djathta ekstreme.

Çështje e përgjegjsisë

Studiuesi francez i populizmit, Dominique Reynié, i referohet edhe shembullit të Holandës, ku populisti Geert Wildersnë nëntor fitoi papritur qartazi zgjedhjet parlamentare. “Zgjedhësit në Europë”, thotë Reynié në një intervistë për gazetën konservatore Le Figaro, “kërkojnë të njëjtën gjë prej një çerek shekulli: një politikë migracioni, që të konsistojë tek përzgjedhja dhe integrimi. Dhe duke dëbuar, ata, që shkelin vlerat e lirisë, barazisë dhe tolerancës”.

Shumë gazetarë, politikanë dhe analistë, shpjegon më tej studiuesi në shkollën elitare Sciences Po, nuk e kanë kuptuar këtë zhvillim në popullsi ose nuk e kanë marrë seriozisht atë. Njerëzit nuk preokupohen vetëm për çështje materiale: “Ata (politikanët, analistët dhe gazetarët shën. red.) e anashkalojnë shpesh rëndësinë e madhe të ‘trashëgimisë imateriale’. Bëhet fjalë për stil jetese, mentalitet, zakone, mënyrën e të menduarit, komportimit me jetën. Të gjitha janë elementë, që formësojnë një kulturë dhe u japin njerëzve ndjenjën e një përkatësie – në këtë rast të kulturës europiane.”

Politikani populist i djathtë holandez Geert Wilders
Populisti i djathtë në Holandë Geert WildersFotografi: Remko de Waal/ANP/IMAGO

Në konkurrencën politike me të djathtën ekstreme partitë e qendrës në Gjermani dhe Francë kanë ndjekur strategji të ngjashme. „Murit fortifikues” ndaj AfD-së në Gjermani i korrespondon në Francë “Pacte républicain”. Ideja pas kësaj është: Sa herë që një kandidat i RN del në balotazh, bashkohen socialistët, të gjelbërit dhe partitë qytetare rreth një kandidati. Por ky pakt, kritikon opozita e majtë, pas votimit të ligjit të migracionit, tashmë ka marrë fund. Edhe përpara kanë fituar influencë tek republikanët politikanë, që e kanë ngushtuar dallimin programor të partisë së tyre nga ekstremi i djathtë. Se sa shumë ka humbur efekt “pakti republikan” me kalimin e viteve, këtë e tregon numri rekord i deputetëve të RN-së në Asamblenë Kombëtare. Me 88 deputetë e djathta ekstreme ndërkohë ka më shumë mandate në parlament se sa republikanët.

Edhe nëse pakti në zonat elektorale duket se vazhdon të funksionojë, “zgjedhësit gjithnjë e më shumë po zhgënjehen”, analizon Philip Manow, profesor për ekonominë politike të shtetit të mirëqenies në Universitetin e Bremenit. “Nëse nisemi nga ajo se si argumentojnë shumica e vëzhguesve në Francë, sipas të cilëve presidentja e ardhëshme do të jetë Marine Le Pen, përgjigja do të ishte: Jo, pakti republikan nuk ka qenë dhe nuk është me efekt”, thotë Manow në intervistë për DW.

E djathta ekstreme

Për RN aktualisht duket se rreziku nuk i vjen aq nga “pakti republikan” se sa nga joshja prej pushtetit. Në Fréjus – 40 km. në perëndim të Kanës – që nga viti 2014 është kryetar bashkie politikani i RN-së David Rachline. Para pak ditësh prokuroria lokale ka nisur një “hetim paraprak” kundër të besuarit prej shumë vitesh të Le Pen-it dhe nënpresidentit të partisë. Sipas mediave bëhet fjalë për “çështje që kanë të bëjnë me dhënien e prokurimeve publike” dhe dyshimeve për ekonomi tarafesh.

Hetimet i referohen botimit të një libri për politikën lokale në një qytezë të vogël bregdetare. “Les Rapaces” (zogjtë grabitqarë) gazetarja Camille Vigogne Le Coat akuzon politikanin me influencë të RN-së Rachline ndër të tjera, se ka bërë marrëveshje me sipërmarrës të fuqishëm lokal për dhënien e tenderave publikë. Vigogne Le Coat përshkruan në “Les Rapaces” një qeverisje, që është shumë larg imazhit shembullor, të cilin do t‘ia atribuojë vetes kjo parti.

Rachline i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat si të pabaza. Por mbështetja për të besuarin prej shumë vitesh nga Marine Le Pen ditët e fundit ka qenë mjaft e kursyer. Deklasifikimi prej deputetëve të vet ndërkohë mund të jetë rreziku më i madh për partinë, që kryeson aktualisht në sondazhe./ DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA