Në raportin e tij të fundit grupi monitorues i të drejtave ‘Human Rights Watch’ e përshkruan taktikën e urisë kolektive të civilëve në Rripin e Gazës si “armë lufte”.
“Ligji ndërkombëtar, ligji humanitar ligji i luftës, ndalojnë përdorimin e urisë së civilëve si një metodë lufte”, thuhet në statutin e Gjykatës ndërkombëtare, të krijuar pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore.
Përdorimi i urisë masive si armë lufte besohej se ishte nga barbarizmat e të shkuarës, teksa strategjia e rrethimeve të kaluara famëkeqe tregonte pasojat e rënda të dënimit kolektiv mbi civilët e pafajshëm, shkruan rrjeti britanik për çështjet arabe Middle Eastern Monitor.
Ndërkohë në Gaza, Izrael raportohet se po bllokon qëllimisht dërgesat e ujit, ushqimit dhe sendeve të tjera esenciale për rreth 2 milionë banorët e rrethuar të zonës.
Megjithse Gaza është e rrethuar nga Izraeli që prej vitit 2007, më 9 tetor 2023 ministri i mbrojtjes Yoav Gallant njoftoi bllokadën totale teksa ushtria niste luftën ndaj territorit palestinez dhe të bombardimeve pa diskriminim që kanë sheshuar shumicën e ndërtesave civile.
Rrjeti MEM shkruan se të mbijetuarit në Gaza me anë të gatimeve vendase po rezistojnë ndaj rrethimit duke përdorur ingredientë vendas me burimet e tyre të kufizuara.
Mielli është i vështirë të gjendet teksa buka mbetet ushqimi kryesor në Gaza. Ndërsa ushqime të tjera palestineze si vaji i ullirit, thjerrëzat dhe erëzat që jetojnë gjatë, kanë shpëtuar shumë njerëz që i kishin rezervuar.
Por forcat izraelite vazhdojnë të shkatërrojnë zonat bujqësore, furrat e bukës dhe depot e ushqimit. Ndërsa dhe përgatitja e ushqimit kërkon burime alternative në vend të gazit, si letra dhe dru.
Mbi 80 përqind e zonave të rrethuara të Rripit të Gazës janë detyruar të zhvendosen dhe aftësia e tyre për të kërkuar ushqim është kufizuar ndjeshëm.
Në një raport të mbështetur nga OKB thuhet se gjysmë milioni njerëz janë në nivelet e krizës së urisë.
Ekonomisti i OKB, Arif Husain, tha se shumica e njerëzve në Gaza nuk mund të hanë ushqim përditë. Ndërkohë viktimat e fushatës ushtarake të Izraelit kanë arritur në 20,000 shumica e tyre gra e fëmijë, shkruan MEM.
Top Channel