Arrestohet një i mitur për kërcënimin terrorist ndaj muzeut në Moskë, ja çfarë kishte postuar në Tik Tok

01/11/2026 19:20

Autoritetet ruse kanë arrestuar një të mitur në lidhje me një kërcënim të dyshuar terrorist ndaj kompleksit muzeor Tsaritsyno në Moskë.

Sipas deklaratës së Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), i mituri kishte publikuar në Tik Tok fotografi ku shfaqej me veshje taktike, maskë për fytyrën, kapuç, syze dielli dhe kufje, si dhe me një objekt që ngjante me armë automatike.

Ai kishte postuar gjithashtu fotografi të realizuara në kompleksin muzeor, të shoqëruara me mbishkrimin: “Gjeta një vend”.

Alarmi i ambasadës amerikane u lëshua të shtunën, duke paralajmëruar për një “kërcënim të besueshëm për një ngjarje me viktima masive” në zonën e muzeut.

Washingtoni bëri të ditur se po koordinonte reagimin me autoritetet ruse dhe u kërkoi qytetarëve të shmangnin zonën, të qëndronin vigjilentë dhe të mos frekuentonin vendet me grumbullime të mëdha njerëzish.

Pas paralajmërimit, ambientet e muzeut dhe parkut Tsaritsyno u mbyllën të shtunën në mbrëmje për arsye teknike dhe vizitorët u evakuuan. Kompleksi u rihap normalisht më 1 nëntor, sipas mediave ruse.

Edhe ambasada gjermane në Rusi raportohet se kishte lëshuar një paralajmërim për një kërcënim të mundshëm sigurie në këtë zonë.

Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te paralajmërimet e ambasadës amerikane për sulmin terrorist në sallën e koncerteve Crocus City Hall, pranë Moskës, në mars të vitit 2024. Sulmi i 22 marsit shkaktoi mbi 150 viktima dhe qindra të plagosur.

Top Channel