Një vend i rëndësishëm ndërhyri në procesin zgjedhor të Serbisë në mënyrën më brutale pretendon Aleksandër Vuçiç, i cili nuk e përmendi megjithatë hapur se për cilin shtet bëhej fjalë. Presidenti serb u shpreh se autoritetet shtetërore atje janë duke hartuar “një letër të imtësishme” për këtë ndërhyrje, e cila sipas tij do të finalizohet deri në fundviti.
Paskësaj, nga sa pohoi Vuçiç, letra do të dërgohet kudo, në mënyrë që të shihet sesi “arrihet të ndërhyhet në procese të cilat i përkasin një vendi të pavarur sovran”. Vuçiç madje shkoi deri aty sa të pretendonte se zgjedhjet e 17 dhjetorit ishin më të pastrat dhe më të drejtat e mbajtura deri tani në Serbi.
Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” i ka kërkuar institucioneve europiane të mos i njohin rezultatet e zgjedhjeve parlamentare, krahinore e veçanërisht atyre lokale në Serbi, derisa të përfundojnë verifikimet e plotë ndërkombëtare për parregullsi gjatë votimeve.
Në një letër që ai u ka dërguar nga ana e tij institucioneve kryesore europiane thuhet që nëse BE-ja nuk e shfrytëzon mundësinë për të mbështetur qytetarët e Serbisë që kërkojnë demokracinë dhe vlerat themelore europiane, atëherë do t’i jap një goditje të rëndë çdo perspektive për një Serbi demokratike si anëtare e ardhme e bllokut.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell dhe komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi kanë reaguar duke i bërë thirrje Beogradit të “përmirësojë ndjeshëm” procesin zgjedhor.
Top Channel