Akuzohen për përvetësimin e 1143 hektarëve tokë përmes dokumenteve të falsifikuara, Gjykata lë në burg ish-drejtuesit e ASHK-së në Fier

19/09/2026 18:53

Gjykata e Fierit ka vendosur vijimin e zbatimit të masës së sigurisë “arrest në burg” për ish-drejtorët e ASHK-së Fier, Bardhyl Kapaj dhe Ertis Shehu, si dhe për specialistin Pirro Çela.

Mes personave ndaj të cilëve vijon masa “arrest në burg” janë edhe dy ish-drejtorët e Kadastrës Fier, Ertis Shehu dhe Bardh Kapaj.

Për personin nën hetim Kastriot Hasko, gjykata ka vendosur zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”.

Sipas vendimit, Hasko duhet të qëndrojë në banesën e tij dhe të mos ketë kontakte me persona të tjerë, përveç pjesëtarëve të familjes.

Gjykata ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tij dhe ka ngarkuar Policinë Gjyqësore me ekzekutimin e vendimit.

Personat e sipërpërmendur akuzohen për përvetësimin e 1143 hektarëve tokë përmes dokumenteve të falsifikuara në qarkun e Fierit.

Vendimi:

Vazhdimin si masë sigurimi personal shtrënguese ndaj personit nën hetim E.S., atë të “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

Vazhdimin si masë sigurimi personal shtrënguese ndaj personit nën hetim P.Ç., atë të “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

Vazhdimin si masë sigurimi personal shtrënguese ndaj personit nën hetim B.K., atë të “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

Zëvendësimin e masës së sigurimit personal shtrëngues ndaj personit nën hetim K.H., nga masa e sigurimit “Arrest në burg” në atë të “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale. Masë e cila do të vuhet nga personi nën hetim në banesën e tij ……

Urdhërohet personi nën hetim të mos largohet nga adresa e banimit dhe të mos ketë kontakte me persona të tjerë përveç pjesëtarëve të familjes.

Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim K.H., nëse nuk mbahet apo nuk duhet të mbahet për efekt të ndonjë mase tjetër sigurimi apo vendimi dënimi.

Urdhërohet Policia Gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.

Ngarkohet Prokuroria dhe Policia Gjyqësore të mbikëqyrin dhe kontrollojnë zbatimin e vendimit të masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, nga personi nën hetim K.H.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda 5 (pesë) ditëve, nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.

 

Top Channel