15-vjeçarja tregon tmerrin si u mor nga banda e alienëve 2.2m të gjatë në Peru

16/12/2023 15:39

Një vajzë peruane që thuajse u mor peng nga ata që përshkruante si ‘një bandë alienësh 2.2 metra të gjatë’ ka shpërndarë eksperiencën e saj shokuese në rrjet.

Edhe më herët një lajm në rrjetin DailyMail.com tregonte sesi rezidentët e fshatit indigjen peruan Haikito jetonin në frikë prej një serie vizitash të panjoftuara nga krijesat e mëdha të panjohura.

Por më pas prokuroria e Perusë njoftoi se sulmet ishin në fakt inskenime terrori nga bandat e minatorëve ilegalë të zonës për të trembur banorët që të mos dilnin jashtë, teksa ata plaçkisnin xhunglën e pasur me flori.

Por një prej viktimave, 15-vjeçarja Talia tregon në një dokumentar në rrjet se ishte sulmuar nga dy krijesa të maskuara dhe me armaturë trupore, të ngjashme me atë të filmit me alienë “Predator”.

“Sytë nisën të më dhembnin dhe fytyra sikur po më fryhej”, thotë e vogla në intervistë për eksperiencën e frikshme.

Ajo shton se sulmuesit më pas kishin injektuar një substancë në formë kremi në vrimën e hundës së saj, dhe më pas ia përhapën në fytyrë.

Ajo përshkruante sulmuesit të kishin sy jeshilë dhe një aparat fluturimi në kurriz që e aktivizonin menjë buton në çizmet e tyre, shkruan Daily Mail.

Në verë anëtarë të fiseve indigjene Ikitu në Peru, i krahasonin sulmuesit fluturues me “xuxhmaxhuxhë të gjelbër” sipas legjendës vendase të ‘los Pelacaras,’ (Fytyrë zhveshësit) ― të përshkruar si fluturues të blinduar që nuk prekeshin as nga plumbat.

Por prokurori peruan që po heton cështjen, Carlos Castro Quintanilla, ka thënë publikisht se sulmet e terrorit kanë një origjinë tokësore.

“Ata përdorin teknologji që u lejon të fluturojnë”, tha Quintanilla për rrjetin vendas RPP duke i vënë fajin grupeve të kërkimit minerar si përgjegjës për sulmet e terrorit.

Talia dhe komuniteti i saj jetojnë në xhunglën e dendur të zonës rurale Alto Nanay, ku kërkohen depozitat e floririt në shtratin e lumit Nanay, i cili derdhet në Amazonë.

Kërkimet ilegale të floririt janë një aktivitet fitimprurës i bandave dhe karteleve të drogës, teksa llogaritet se fitimet e tyre nga aktiviteti arrinin në 8.2 miliardë dollarë për periudhën 2013-2023, në krahasim me vetëm $640 milionë që llogaritet se fituan nga trafiku i drogave.

Talia tregon në intervistën e saj: “Kur shkova në kopsht për të mbledhur mandarina ndjeja se gjethet e thata po frynin rreth meje”.

Kur ajo u kthye prapa për të parë se çfarë po e shkaktonte këtë, pa një burrë të gjatë që e quante ‘a gringo’ (gangster i bardhë).

“Tentova të vrapoj por ai më kapi dhe më mbuloi gojën”, tregon vajza për incidentin e 29 korrikut të kësaj vere.

Talia kujton se një tjetër alien u shfaq në dritën prapa saj: “Ai u ngrit në ajër dhe erdhi u ul para meje”.

Ajo përshkruan se si tentuan ta tërhiqnin ndërsa shtonte se armaturat e tyre ishin të metalta, por ajo kishte rezistuar dhe rrjedhimisht ishte larguar prej tyre.

Raportime të mëvonshme thonin se Talia kishte pësuar prerje apo gërvishtje të vogla gjatë tentativës së pengmarrjes.

Vajza ishte dërguar në spitalin e Santa Maria ku e kishin rekomanduar të takonte psikologun.

“Kur unë tentova të heq maskën e një prej tyre ai më lëshoi, aty nisa të ulëras”, thotë vajza.

“Më i gjati nisi të fliste spanjisht, por si një a gringo, nuk i thoshte fjalët mirë. Ndërsa më i shkurtri fliste mirë, madje me një theks peruan”.

Komuniteti është i shokuar nga pretendimet e vajzës dhe ka kërkuar ndihmë, si ndaj kërkuesve ilegalë të floririt ashtu dhe alieneve të mundshëm.

Policia vijon hetimet për ngjarjen, motivet apo vërtetësinë e saj./DailyMail/

FOTO GALERI
3/5
Talia dhe komuniteti i saj jetojnë në xhunglën e dendur të zonës rurale Alto Nanay, ku kërkohen depozitat e floririt në shtratin e lumit Nanay

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA