Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja foli për mediat nga burgu i Peqinit, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur këtë të premte.
Pas konfliktit në burgun e Peqinit, ministri tha se të gjitha burgjet kanë kaluar në sigurinë më të lartë, ndërsa shtoi se duhet të priten hetimet për të mësuar detaje për ngjarjen.
Manja për mediat: Dinamikën e plotë të ngjarjes do ta bëjnë organet e hetimit, të cilët po merren me çështjen. Sot në burgun e Peqinit ka humbur jetën një i dënuar, është plagosur lehtë një tjetër i dënuar, banor rezident i burgut të sigurisë së lartë Peqin. Dua të ngushëlloj familjarët e të dënuarit që ka humbur jetën, t’i uroj shërim të shpejtë të dënuarit tjetër dhe dua t’u garantoj të dënuarve se situata e rendit dhe e sigurisë është nën kontroll, autori i kësaj ngjarje është i dënuar me burgim të përjetshëm, i cili po vuante dënimin pas kryerjes së krimit i është drejtuar drejtorit të burgjeve dhe drejtorit të përgjithshëm Peqin, pas dorëzimit është vënë nën dispozicion të prokurorit të gatshëm dhe drejtuesit të Prokurorisë Elbasan.
Ngjarja është e rëndë, por nuk ka pasur cenim të jetës dhe sigurisë së punonjësve apo civilëve, për dinamikën e ngjarjes do duhet të presim rezultatet e hetimit. Të gjithë mekanizmin e ngjarjes dhe zbardhjen e dinamikës, janë çështje që i përkasin hetimit, nuk dua të cenoj çështjen e hetimit, do të ketë komunikim me opinionin publik pasi të merret në pyetje. Në IEVP Peqin ne kemi edhe regjim të posaçëm, procedura në regjim të posaçëm pasi del urdhri i ministrit fillojnë procedurat për zbardhjen e urdhrit. Ministri i Drejtësisë ka urdhëruar vendosjen në regjim të posaçëm për ngjarje të tjera që lidhen me të dënuarin.
Pse nuk u nxitua në vendosjen e tij në regjim të posaçëm?
Manja: Sepse ka një procedurë për vendosjen e një personi në regjim të posaçëm.
A ishte komunikuar kjo procedurë përpara se të kryente ngjarjen?
Manja: Sigurisht edhe mënyra e komunikimit të vendosjes në regjim të posaçëm ka një procedurë që e vijon Drejtoria e Burgjeve në momentin që zbardhet urdhri dhe vendoset në regjim të posaçëm. Detajet ju lutem mos më bëni pyetje që cenojnë hetimin, unë jam këtu sonte dhe do të jem në ditët në vijim për të nxjerrë përgjegjësitë, të natyrës penale i takojnë organit të hetimit, do t’i shkojmë deri në fund, burgjet janë në sigurinë e lartë. Kjo ngjarje e përshpejtoi rregullin për të kaluar në një nivel tjetër gatishmërie në burgje. Ka filluar që pardje me disponimin për vendosjen në regjimin 41 biss e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, që cenojnë rendin në IEVP, apo kryejnë vepra penale, janë vendosur dy të parët, në ditët në vijim do të ketë të tjerë që do t’i nënshtrohen këtij regjimi, do të respektojmë në mënyrë korrekte dhe të prerë ligjin.
Kujtojmë se Sokol Mjaçaj, i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm në burgun e sigurisë së lartë IEVP “Peqin”, ka qëlluar me armë zjarri ndaj të burgosurve Indrit Shaqja dhe Arben Lleshi këtë të premte. Lleshi nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra, ndërsa Shaqja është jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, i dënuari për vrasjen e dy të turistëve çekë mbajti peng nën kërcënimin e armës punonjësit e kuzhinës në institucionin e heqjes së lirisë, të cilët u liruan pas disa orësh me ndërhyrjen e forcave të shumta policore dhe RENEA, që kanë vënë nën kontroll situatën.
Top Channel